Avioni spiun rus zbulohet nga NATO mbi Balltik, Rusia: S’kemi shkelur rregullat
Një avion spiun rus është zbuluar nga avionët e NATO-s duke fluturuar mbi detin Balltik. Lajmin e kanë raportuar burime nga Aleanca e Atlantikut Verior, duke konfirmuar kështu rritjen e tensioneve në rajon.Estonia ka thërritur për shpjegime Ambasadorin rus të mërkurën në mbrëmje, pasi avioni rus i modelit Iljushin-20 kishte hyrë në hapësirën ajrore të saj.Reagimi i Rusisë ishte se avioni po kryente stërvitje dhe nuk kishte hyrë në hapësirën estoneze. Kohët e fundit Rusia është akuzuar nga disa vende për veprime të ngjashme.Javën e kaluar, Suedia ka nisur kërkimet për një nëndetëse të supozuar ruse që ishte parë në arqipelagun e Stokholmit, rreth 48 kilometra larg kryeqytetit.Ndërsa muajin e kaluar, ishte sërish Estonia që akuzonte rusët se kishin rrëmbyer një oficer doganor në kufirin mes dy vendeve.NATO raportoi se avioni ishte parë të nisej nga enklava balltike e Rusisë, Kaliningrad, që të martën dhe ishte kapur fillimisht nga avionët danezë para se të ndryshonte drejtim për në Suedi.Pasi është pikasur edhe nga avionët suedezë, ai ka hyrë në hapësirën estoneze. Një zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes këmbënguli në emër të qeverisë se avioni i ka respektuar të gjitha rregullat ndërkombëtare dhe ushtarake.