Tirana zyrtare notë proteste Serbisë: Ndalni përbaltjen, kthjellohuni
Tiranë-Ministria shqiptare e Punëve të Jashtme i ka dërguar Serbisë një notë proteste rreth ngjarjeve që ndodhën mbrëmjen e 14 tetorit në stadiumin e Beogradit dhe deklaratat që e pasuan.Dokumenti iu dorëzua Ambasadorit serb në Tiranë, Miroljub Zariç, i cili është thirrur për herë të dytë në zyrat qëndrore të diplomacisë shqiptare në harkun e 48 orëve.Ndërkaq, Ministria e Punëve të jashtme ka dalë me një deklaratë zyrtare, ku edhe në emër të qeverisë shqiptare hedh poshtë "baltosjen politike të ndërmarrë nga udhëheqësit kryesorë të Serbisë kundër popullit dhe shtetit shqiptar”."Deklaratat e zyrtarëve më të lartë serbë bien ndesh me etikën më bazike të marrëdhënieve diplomatike dhe reciprocitetin e mirësjelljes, vetëpërmbajtjes dhe respektit midis shteteve sovrane. Për më tepër, ato nuk dëshmojnë lartësinë e një vendi kandidat për anëtarësim në BE.Ftojmë udhëheqësit e lartë të Serbisë të kthjellohen dhe të tregojnë maturi duke dënuar aktet antishqiptare që ndodhën para, gjatë dhe pas ndeshjes Serbi-Shqipëri, si bllokimin në aeroportin e Beogradit të gazetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë që shoqëronin ekipin kombëtar, djegien e flamurit shqiptar në stadium, thirrjet për 40 minuta për vrasjen e shqiptarëve dhe dhunën patologjike të ushtruar mbi sportistët e kombëtares shqiptare."-Ministria e Punëve të Jashtme i ka kujtuar Serbisë dhe për dijeni gjithë opinionit ndërkombëtar, se historia e vjetër dhe e re e Ballkanit nuk e njeh Shqipërinë si destabilizuese e rajonit dhe as si agresore kundër popujve liridashës, që kërkojnë pavarësi.“Shqipëria nuk është përgjegjëse për faktin se e kaluara mund të rëndojë në ndërgjegjen dhe gjendjen emotive të zyrtarëve të lartë serbë. Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat në BE, ndjek besnikërisht politikën e bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe të stabilitetit demokratik në rajon, sepse i përmbahet pikëpamjes se integrimi euroatlantik është rruga e përbashkët e popujve dhe shteteve në rajonin tone”.MPJ e mbyll deklaratën duke u rikujtuar Serbisë dhe gjithë vendeve të rajonit që falë perspektivës europiane, sot kemi mundësinë të ndërtojmë një rajon ku mbizotëron paqja dhe prosperiteti, jo ndasitë dhe ksenofobia.