Boçka:Incidenti në stadium ka ndërlikuar atmosferën mes dy vendeve
Ambasadori i Shqipërisë në Beograd, Ilir Boçka, deklaroi se po punohet në realizimin e vizitës së kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd, që është planifikuar për datën 22 tetor."Informatat e fundit nga Ministria Shqiptare e Punëve të Jashme thonë se gjërat po përgatiten për realizimin e kësaj vizite", ka thënë Boçka para gazetarëve në ambasadën e Shqipërisë në Serbi.Ai shtoi se incidentet gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri kanë krijuar një "atmosferë të ndërlikuar", por theksoi se do të ishte joproduktive për bashkëpunim mes dy vendeve që pas çdo incidenti të krijohet një vakum në marrëdhëniet mes palëve dhe ato të rifillojnë nga e para.
Sipas tij, incidentet në fushën e lojës ishin dëshmi e marrëdhënieve të brishta mes njerëzve në Ballkan.I pyetur nga një gazetar serb për mjetin fluturues që shpalosi flamurin me hartën e Shqipërisë Etnike, Ambasadori u përgjigj se ai nuk kishte asnjë informatë në lidhje me këtë dhe se po priste raportimet e palës serbe.Gjithsesi atij nuk iu duk e logjikshme që të akuzohej menjëherë Shqipëria, pa u kryer hetimet. "E pse do të donim ne të prishnim punën që kemi bërë deri tani?", pyeti Boçka."Kjo teori duket si justifikim për dështimet e palës serbe për të ruajtur rendin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes. Po presim provat, por nuk e mendoj se këtë e kanë bërë shqiptarët".