Kosovë, Presidenca: Kuvendi është institucion autonom
Kosovë - Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se takimet e Presidentes me liderët e partive politike parlamentare, janë proces i veçantë, që synon të lehtësojë diskutimet mes tyre, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve të reja të vendit, në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.Nëpërmjet një sqarimi, Zyra e Presidentes thekson faktin se Kuvendi i Kosovës është institucion plotësisht autonom.“Asnjë procedurë e brendshme e tij, përfshirë edhe thirrjen e seancës së tij, nuk ndërlidhet me përpjekjet e Presidentes për lehtësim të dialogut. Presidentja Jahjaga respekton pavarësinë dhe rregullat e Kuvendit”,- thuhet në sqarim.Gjithashtu shtohet se Presidentja Jahjaga do të vazhdojë të luajë rolin e saj kushtetues të faktorit të unitetit.“Presidentja bën thirrje te të gjithë liderët politikë në vend që të përshpejtojnë gjetjen e zgjidhjes së çështjes për krijimin e institucioneve”, - përfundohet në sqarimin e Presidencës.(Marrë nga Telegrafi)