Beogradi nderon "Presidentin e vet" në përvjetorin e çlirimit

Beogradi u shndërrua këtë të mërkurë në një arenë demostrimi të forcës ushtarake të Republikës së Serbisë, me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtimi nazifashist.Por ajo që tërhoqi më shumë vëmendjen është pjesëmarrja në të e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili përveç se aleati më i madh i Serbisë, adhurohet pothuajse në të gjithë vendin.Kjo ishte parada e parë ushtarake që organizohej në Beograd pas më shumë se 30 vitesh dhe prania e njeriut më të fuqishëm të botës sllave tregoi edhe një herë se serbët nuk mund të ndahen nga "prindi" që është kujdesur për ta sa herë që ka qenë nevoja.Për më tepër, kur Putini shfrytëzon skenën ballkanase për të dërguar mesazhe ndaj Presidentit amerikan, Barak Obama dhe perëndimit."Shpresojmë që partnerët tanë të kuptojnë sa mendjelehtë po tregohen kur përpiqen të shantazhojnë Rusinë dhe të kujtojnë se çfarë pasojash mund të kenë për stabilitetin strategjik të botës mosmarrëveshjet mes fuqive të mëdha bërthamore", deklaroi Putin për mediat vendase, duke i cilësuar absurd përpjekjet e Uashingtonit dhe Brukselit zyrtar për të izoluar Rusinë.Ambasadori amerikan, Majkëll Kirbi, ishte i ftuar në paradë, por Ambasada amerikane në Beograd njoftoi se ai nuk do të merrte pjesë, duke vërtetuar se kriza më e madhe mes perëndimit dhe Rusisë që prej luftës së ftohtë, do ende kohë që të zgjidhet.Më parë, Putini vizitoi bashkë me presidentin serb, Tomislav Nikoliç, një varrezë ku prehen ushtarë rusë të vrarë duke luftuar për çlirimin e Beogradit në tetor 1944."Synimi ynë është që të flasim kundër glorifikimit të nazizmit dhe përpjekjeve për të ndryshuar përfundimet e nxjerra nga Lufta II Botërore", tha Putini.