Viti i dy qeverive 2013-a, 10 miliardë lekë sigurime s'u derdhën në ISSH

Tiranë – Në vitin 2013, kur 6 muajt e parë janë qeverisur nga PD-ja dhe 6 muajt e tjetër, nga PS-LSI-ja, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar 10 miliardë lekë kontribute të paderdhura në ISSH dhe faktin që të vetësiguruarit në bujqësi, pasi mbushin 35 vitet e punës së kërkuar, nuk vazhdojnë më të paguajnë kontribute, pasi me skemën aktuale, ata nuk përfitojnë ndonjë shtesë në pension.Pas kontrollit që ka ushtruar në këtë institucion , ka rezultuar Mosrealizimi i të të ardhurave të programuara, për shkak të shmangies së pagesës së sigurimeve shoqërore. Evazioni ka sjellë që plani vjetor fillestar i të ardhurave prej 48,918 milion lekë të realizohet vetëm 98.73 % duke krijuar një difiçit në të ardhura me 622 milionë lekë.Po ashtu, është konstatuar rritja e detyrimeve të papaguara ndaj skemës së sigurimeve me rreth 1,9 miliardë lekë, vetëm për vitin 2013. Kjo ka sjellë që stoku i detyrimeve kontributive të papaguara nga subjektet juridike dhe fizike në fund të vitit 2013 të arrijë në 10 miliardë lekë.Lidhur me mbledhjen e kontributeve, problem shqetësues është mosdorëzimi i listëpagesave nga subjektet e biznesit të madh dhe të biznesit të vogël, sidomos ato të biznesit të vogël. Llogaritet që nga 749,320 listëpagesa që duhet të vinin në format elektronik pranë ISSH, kanë mbërritur vetëm 64,500 listëpagesa.Po ashtu, vërehet tendenca në rënie e numrit fizik të kontribuesve, të siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, pavarësisht realizimit të fondeve të planifikuara për t’u mbledhur nga vetë ISSH. Nga institucioni, theksohet se faktori që ka influencuar në rënien e numrit të kontribuesve është tërheqja nga skema e rreth 46,000 personave, të cilët kanë plotësuar vjetërsinë e nevojshme prej 35 vitesh sigurim dhe nuk paraqesin interes për sigurim, sepse nuk përfitojnë shtesë pensioni. Skemës së sigurimeve shoqërore në fshat i mungon një numër relativisht i lartë i personash, që për vitin 2013 vlerësohen të jenë 113,377 vetë.