Nishani uron Kurban Bajramin: Të festojmë bashkë, larg sherreve e mërive
Tiranë- Kreu i shtetit Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. Përmes një mesazhi të publikuar në faqen zyrtare të Presidencës, Nishani kujton që kjo festë e sakrificës njerëzore vjen pas vizitës historike të Atit të, andaj fton shqiptarët të ruajnë një ndër vlerat më të çmuara të kombit tonë, bashkëjetesën dhe harmoninë fetare.
“Këtë Kurban Bajram e festojmë fill pas vizitës historike të kreut të botës së besimit tjetër, besimit katolik, gjatë së cilës Ati i Shenjtë dhe bota mbarë vunë theksin mbi një nga vlerat tona kombëtare më të çmuara, tolerancën fetare, respektin reciprok për besimin e tjetrit, paqen mes njerëzve me besim të ndryshëm.
Që secili të mbrothësohet, që vendi të begatohet, që paqja të mos rrezikohet, ta festojmë edhe këtë Kurban Bajram si e kemi festuar gjithmonë, duke lënë mënjanë mëritë, duke iu larguar sherreve, duke u afruar, duke u respektuar, duke u vëllazëruar, duke u ndihmuar”
Në këtë ditë ku theksi vihet tek sakrifica dhe durimi, Presidenti Nishani është ndalur tek virtytet dhe veprimet që e largojnë njeriun nga udha e keqe, duke e sjellë drejt barazisë, vëllazërimit dhe paqes.
“Të dashur, të nderuar dhe të respektuar, besimtarë myslimanë shqiptarë kudo ku ndodheni, Gëzuar këtë festë të madhërishme që na afron me njëri-tjetrin kur fëmijëve u jepen dhurata, ushqimi ndahet me fqinjin dhe fukarain, i ngopuri kujton të uriturin, pasunari fukarain, i shëndetshmi të sëmurin, i suksesshmi hallexhiun, dhe të gjithë së bashku kujtojmë Zotin.
Gëzuar personalisht dhe institucionalisht prej meje në këtë ditë të Jashtëzakonshme! Gëzuar t’i themi gjithashtu njëri-tjetrit në këtë ditë feste për të gjithë!”
Edhe kryeministri Rama ka uruar besimtarët për festën, përmes një kartoline të shpërndarë në fb.