“Skandali i Pukës”, shkarkohet ish-kreu i Prokurorisë, Pëllumb Preçi

Tiranë-Me 7 vota pro dhe asnjë kundër, Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme ka votuar unanimisht për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Pukë, Pëllumb Preçi.Ndaj këtij të fundit po zhvillohet gjykimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ku akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” për të ashtëquajturin “Skandali i Pukës”.Gjithashtu, Këshilli i Prokurorisë, në mbledhjen e zhvilluar ditën e mërkurë pyeti në cilësinë e dëshmitarit zyrtarin e Prokurorisë së Përgjithshme, Thoma Janko, për të cilin ish-drejtuesi i Prokurorisë Pukë, Pëllumb Prençi ka ngritur pretendimin se ka diskutuar në praninë e zyrtarit të Prokurorisë së Përgjithshme për rrethanat e çështjes, për të cilën tashmë është marrë si i pandehur dhe po gjykohet në Gjykatën e Shkodrës.Këshilli i Prokurorisë është në fazën e shqyrtimit të të dhënave, sipas të cilave zyrtari i Prokurorisë së Përgjithshme mund të ketë luajtur rolin e negociatorit ndërmjet ish-drejuesit të Prokurorisë Pukë dhe të pandehurit në atë proces gjyqësor, P. Pjetri, lidhur me mosmarrëveshjet që duket se kishin me njëri-tjetrin jashtë procesit penal, por që kishin lidhje me atë proces.Biseda rezulton se është kryer para se çështja të bëhej publike. Një ditë më parë Prokuroria pezulli nga detyra Shefin e Auditit në Prokurorinë e Përgjithshme, Thoma Janko.Pas pezullimit Anti-korrupsion, në organin qendror të akuzës ka nisur hetimet ndaj Thoma Jankos.Skandali i Pukës përfundoi me 9 të pandehur mes tyre edhe ish-kryetari i Gjykatës Pukë, Shtjefen Lleshi, prokurori Pëllumb Prençi, një oficer i Policisë Gjyqësore, kancelarë, sekretare e avokate të përfshirë në aferë korruptive, duke kërkuar para në shkëmbim të lirisë së një të arrestuari.