Rama kërkesë Rumanisë: Mbështesni Shqipërinë në rrugën drejt BE

Një nga shtetet më të reja anëtare të BE, Rumania është vendi të cilit kryesocialisti, Edi Rama, i është drejtuar për të kërkuar mbështetje për prespektivën europiane të Shqipërisë, por edhe për të forcuar bashkëpunimin sot në opozitë, e nesër në qeveri në rast fitorjeje të kësaj force poltike.Për dy ditë, kryesocialisti Edi Rama, ka zhvilluar takime intensive ku është pritur nga Kryeministri rumun, Viktor Ponta dhe kreu i parlamentit, Valeriu Zgonea. Kreu i qeverisë rumune e garantoi kryesocialistin Rama se vendi i tij do mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj për të qenë anëtare e BE-së.“Jam shumë i lumtur të takoj këtu në Bukuresht mikun tim dhe kolegun Edi Rama. E sigurova atë se Rumania si vend, populli rumun, e po ashtu edhe unë si kryeministër, do ta mbështesim gjithmonë Shqipërinë për të arritur progres dhe për patur një jetë më të mirë, si dhe për të qenë anëtare e Bashkimit Europian. Ne kemi eksperiencat tona si vendi më i ri anëtar i Bashkimit Europian. Unë e di shumë mirë se është e vështirë, por mendoj se e ardhmja e Shqipërisë, si dhe e Rumanisë, pra e të gjithë rajonit tonë, është vetëm integrimi europian dhe besoj se shumë shpejt ju do ta meritoni dhe do jeni gati të jeni pjesë e Europës”-u shpreh Ponta.“Ishte një kënaqësi e madhe sepse ishte një takim mes miqsh përveçse një takim me Kryeministrin e Rumanisë që besoj do të jetë kryeministri i Rumanisë edhe pas zgjedhjes të pak mujave më pas, për të diskutuar për një bashkëpunim afatgjatë, për të shtruar disa piketa në një ndërveprim lidhur me Europën me perspektivën europiane të Shqipërisë. Për të cilën, Rumania pa dyshim mund të luajë një rol të madh si një vend që mund të japë një shtysë të rëndësishme. Ashtu sikundër edhe për Programin tonë “Për një Rilindje Shqiptare” ku jam i bindur do të kemi ndihmë të konsiderueshme duke u bazuar tek fakti që qeveria aktuale po arrin të trajtojë krizën ekonomike pa cënuar rritjen ekonomike, rritjen e punësimit, rritjen e mbështetjes sociale ashtu si edhe ne e dëshirojmë për Shqipërinë”-tha Rama.Ndërsa në takimin me kryetarin e parlamentit rumun, Rama bisedoi për një plan të përbashkët pune në nivel ndërparlamentar, europian dhe lokal. Ndërkohë, nuk janë lënë jashtë vëmendjes edhe tema të ndjeshme siç është ajo e qëndrimit të Rumanisë për çështjen e Kosovës.