Rrugë, sinjalistikë, ujësjellësa me 6.25 miliardë lekë shtesë, Transportit

Me këtë shtesë që i bëhet sot, buxhetit të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës me 6.25 miliard lekë mund të themi se mbështet më së miri të gjithë prioritetet që janë shpallur në programin e kësaj Qeverie.Rreth 5.3 miliard leke të buxhetit shkojnë për prioritetet e transportit rrugorë, të shërbimeve në rrugë, ku 4.4 miliard lekë janë punë ndërtimore për vijueshmërinë e projekteve me intensitet të lartë si rruga Kukës-Morinë, Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, Qafë Thanë-Lin-Pogradec, Ura e Matit, Unaza e Re e Tiranës, zgjerimi i rrugës së Elbasanit, rruga e Arbërit, rruga Lushnje-Berat, Porto Romano-Durrës , Qukës-Qafë Plloc edhe shumë segmente të tjera .Ndërkohë që fondi tashmë i akorduar deri më sot për shlyerjen e borxheve të trashëguara është 9.2 miliard lekë që kanë shkuar për investime, shpenzime korrente por edhe për shpronësime. Gjë që ka pasur një ndikim të drejtëpërdrejtë në krijimin e një marrëdhënie të normalizuar mes Qeverisë dhe sektorit privat dhe ka krijuar klimën e nevojshme për të kërkuar dhe për të imponuar rritjen e cilësisë së punimeve.Siç është theksuar në programin e kësaj Qeverie për sa i takon Infrastrukturës mirëmbajtja për ne përbën një nga prioritetet kryesore, është një domosdoshmëri nuk është një garniturë dhe për këtë kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë më shumë në të ardhmen.Janë shtuar 686 milion lekë vetëm në zërin e mirëmbajtjes duke sjellë ndryshime të dukshme në cilësinë e infrastrukturës veçanërisht në shërbimin që i ofrohet përdoruesve të rrugëve.Ka ndodhur një ndryshim koncepti duke e konsideruar këtë zë si pjesë themelore të investimeve, si pjesë themelore të cilësisë së shërbimit që marrim nga infrastruktura e vendit.Objektiv tjetër i rëndësishëm në infrastrukturën e transportit është jo vetëm përfundimi i veprave por edhe sjellja e tyre ne standart, pasi realiteti është që shumë nga veprat e infrastrukturës janë larg standartit të duhur, që garanton cilësinë e shërbimit të nevojshëm. Kështu mund të themi se 10 milion USD ose 10 miliard të lekëve i janë shtuar projekte të rëndësishme të cilat do jenë të mundur të realizohen nëpërmjet këtij rialokimi, ashtu siç u realizua segmenti Rrogozhinë - Butrint, do të realizohet së shpejti segmenti Rrogozhinë –Kapshticë dhe Fushë Krujë - Han i Hotit.Koncepti per sinjalistika ka ndryshuar, nuk konsiderohet më si një zbukurim i rrugës, por është një element themelor i tij, është një garanci para së gjithash për shërbimin që ofrohet dhe për jetën e qytetarëve.Ky rialokim do të krijojë mundësinë për të bërë edhe studimin për zgjidhjen përfundimtare të problemeve që kemi në 105 pika të zeza, nyje të rrezikshme për infrastrukturën e vëndit. Kjo gjë që do të rrisë më shumë trendin pozitiv që kemi, në reduktimin e aksidenteve rrugore.Por rialokimi do të shkojë sigurisht edhe në sistemet e ujësjellës-kanalizimeve. Janë 273 milion lekë për t’u rishpërndarë në këtë sektor, veçanërisht do të mbështeten projekte të cilat realizohen me financim të huaj, por këtu sigurisht kemi kostot tona për të realizuar, e kam fjalën për kanalizimet e Tiranës së Madhe, për sistemin e ujësjellës-kanalizimeve të Pogradecit, për infrastrukturën komunale të disa qyteteve të rëndësishme të vendit, si Fieri, Gjirokastra, Saranda, Lezha,Lushnja etj, për Bilishtin por edhe për mbrojtjen liqenore të liqenit të Ohrit dhe të Shkodrës.Prandaj të nderuar deputetë, do t’ju kërkoja që ta mbështesim këtë akt normativ, pasi kështu ne do të konsolidojmë më tej rrugën e mbarë në të cilën po ecim. Do të garantojmë një rritje edhe më të dukshme vitin e ardhshëm duke sjellë një infrastrukturë të standarteve bashkëkohore në Shqipëri, duke iu shërbyer më mirë qytetarëve të vendit.(Nga fjala e Ministrit Edmond Haxhinasto sot në Kuvend)