Arrestohet një aktivist i VV-së, Albin Kurti thirret në polici

Policia e Kosovës arrestoi dje një aktivist të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa disa të tjerëve u ka dërguar ftesa për paraqitje në polici, duke përfshirë edhe liderin Albin Kurti.Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, “në ditët e fundit në mënyrë shqetësuese ka shtuar kontrollin dhe kërkimin policor mbi aktivistët Lëvizjes Vetëvendosje”.“Në të gjitha qendrat e Kosovës ka pasur kërkime për një numër aktivistësh, qoftë në zyrat e Lëvizjes, apo në shtëpitë e tyre. Kërkimet policore janë të lidhura me aksionet politike të Lëvizjes tonë të realizuara tash vonë dhe një pjesë tjetër para më shumë se 5 vitesh”.Bëhet e ditur se për t’u paraqitur në polici është ftuar edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.“Kështu, aktivistëve: Nora Fetoshi , Etleva Malushaj , Marigone Drevinja, Albin Kurti, Dardan Molliqaj, Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi, Valdrin Ahmeti, Nol Nushi, u janë dërguar ftesa, apo janë marrë në telefon për t’u paraqitur në polici. Ndërsa aktivistja Brikena Ramabaja është kërkuar disa here në shtëpi dhe në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Dardanë”.Vetëvendosje bën të ditur se në këto veprime të policisë, të cilat i cilëson si “gjueti”, është arrestuar aktivisti i këtij subjekti politik, Kushtrim Dakaj.“Si rezultat i gjithë kësaj “gjuetie” policore mbi aktivistët tanë sot u arrestua Kushtrim Dakaj, i cili ishte duke pirë kafe para zyrës qendrore të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ai u arrestua nga 3 policë, të cilët i priste makina me dy të tjerë, pa e sqaruar fare se po e arrestojnë dhe pse po e arrestojnë”.“Këto veprime të policisë ne i konsiderojmë presion politik të Qeverisë në ikje mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si formë e shantazhit, e kërcënimit dhe e hakmarrjes lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend. Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga organet e rendit, Policia dhe Gjyqësia që të ndalojnë me kërkimet dhe arrestimet e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje e të mos bëhen vegël e një pushteti skajshmërisht të korruptuar, i cili nuk zgjedh mjet për të mbetur në pushtet”, thuhet në njoftim.