Ekskluzive - Rrëfimi i Motër Maria Kaletës në “Tonight Ilva Tare”: Ja pse u përlot Papa Françesku
Tiranë -Jo të gjithë e njihnin motër Maria Kaletën, gruan 85 vjeçare e cila i ka falur jetën Zotit dhe jo jeton në Pistull, fshati 23 km larg Shkodrës. Deri më 21 shtator 2014, kur u përzgjodh për të rrëfyer vuajtet dhe sakrificat e saj gjatë viteve të diktaturës për të ruajtur besimin tek Krishti para Papa Franceskut. Rrëfimi i saj në Katedralen "Shën Pali" përloti jo vetëm Papa Franceskun por të gjithë ata që e dëgjuan.Ilva Tare udhëtoi drejt Pistullit për ti marrë një rrëfim ekskluziv, për ta njohur më mirë gruan e moshuar e cila me përuljen që e karakterizon thotë "çfarë kam bërë e kam bërë për ndërgjegjen teme e dashninë e Zotit dhe jo për të dalë në kamera. Për mua ishte shumë e madhe takimi me Papa Franceskun, kush jam unë e kush është ai. Megjithatë Zoti pranon dhe ata që nuk dinë. "Në një intervistë ekskluzive për gazetaren Ilva Tare, ajo ka treguar si lindi tek ajo besimi, si u mbrujt ai përmes vuajtjeve të regjimit komunist, që e gjeti në moshën më të re, si e shndrroi atë në kooperativiste për afro 26 vjet e deri më sot, kur ajo si dëshmitare e pak të mbijetuarve, pati takimin që as në ëndrra s'e kishte imagjinuar, takimin me Atin e Shenjtë.
Emisioni "Tonight Ilva Tare" i mbrëmjes së 22 shtatorit 2014, titulluar "Dëshmitë që përlotën Papa Franceskun" përcolli dhe dy reportazhe: Për qendrën "Betania" dhe takimin e paharruar të Marjanit, djalit që u rrit në këtë qendër dhe u përzgjodh të mbante një fjalë para Papa Franceskut, por edhe momentet e emocionuese të vizitës së atit të shenjtë në familjen e Pashk Tom Popajt, në në fshatin Kastrat të komunës Bajzë, 15 km larg Shkodrës. Më poshtë janë dy videot e reportazhit.Pjesë nga Intervista Ilva Tare: “Tonight” ka dalë sot nga studioja e Tiranës, për të ardhur në fshatin Pistun, 23 km larg nga Shkodra, ku jeton motër Maria Kaleta. Ajo sot është 85 vjeçe. Nuk besoj se keni dëgjuar më parë për të, por dje, gjatë audiencës me Atin e Shenjtë, ajo u kthye në një figurë botërore. Qendra polivalente, e ndërtuar në vitin 2005, është ndër të paktat, të vetmet në Shqipëri të ndërtuara në nder të saj. Ndodhem me Motër Maria Kaletën.Ilva Tare: Rrugë e vështirë për të dalë nga fshati…Motër Maria: Pak, po…E bën shpesh?Jo, s’e bëj shpesh, ka makinë tani…Po dje, të rëndoi shumë?Jo, pak.Si ishte dita e djeshme?Dita e djeshme ka qënë me shumë emocione, me shumë domethënie. Mbasi kaloi gjithçka mirë, falemnderit Zotit që nuk ndodhën gjëra të papritura. E kështu, pasi shkoi mirë gjithçka, falenderojmë Zotin për ardhjen e Papës; falenderojmë Zotit edhe për të gjithë ata që kanë punuar për mbarëvajtjen e kësaj dite.Pate emocion kur po lexoje një pjesë të jetës tënde, që nuk ishte dhe aq e bukur? Kishte momente të vështira të persekutimit, të mundimeve. Si u ndjeve?Doemos, pak emocione kam pasur, por megjithatë, jo jo. Më janë bërë si të zakonshme këto fjalë tani duke i përsëritur.Të zakonshme mbase, por kur i thua para Atit të Shenjtë…Si t’u duk nga afër Papa Françesku?M’u duk si të isha para një shenjti, gjë që nuk e kam parë as në ëndërr, por falenderoj Zotin, në këtë moshë që jam, falenderoj Zotin shumë që arrita ta shoh edhe këtë ditë, të marr edhe bekimin prej tij, sepse gjë e jashtëzakonshme është, sidomos për pjesën time.Çfarë të tha kur u takuat? Pati një moment kur përfunduat fjalët tuaj, shkuat e u përkulët përpara tij, por ai nuk donte t’ju linte, ju kapi dhe ju përqafoi. Çfarë ju tha?Vetëm më ka dhënë bekimin. I kërkova bekimin për të gjitha nevojat që kisha, në shqip, ma merr mendja s’më ka kuptuar, megjithatë e mora bekimin prej tij për çfarë i kërkova.Çfarë i kërkove?Ah (buzëqesh). Këto janë gjëra personale…I kërkove gjëra personale? Shumë interesante. Besoj se ju jeni e vetëdijshme zonja Maria Kaleta se dje keni qënë në vëmendjen, jo vetëm të medias shqiptare, por të mbarë botës në audiencën që patët me Papa Françeskun dhe sigurisht, historia juaj ka prekur shumë vetë. Ju sot jeni 85 vjeçe. Por, sii ka qënë ai moment? Si ka ndodhur? Çfarë ke ndier?Dëgjoja thirrje, edhe si fëmijë më tepër, për të hyrë në jetën rregulltare, pa ditur se çfarë ishte jeta rregulltare. Megjithatë, e kisha me shumë kënaqësi. Kurse baba ka qënë ai që më ka kundërshtuar se më thoshte që një fëmijë të vetëm, të shkoj “me e ndry”, nuk është e drejtë. Kurse axha e nana më kanë lënë. Axha tha: “Unë përgjigjem për të; dy vjet të rrijë si konviktore dhe më pas, të në i pëlqeftë të rrijë, në s’i pëlqeftë,të vijë në shtëpi.”A kishe shokë e shoqe në atë kohë? Se ishe 10 vjeçe, në fshat ke lindur.Po po, në fshat kam lindur.Po aty çfarë ndodhi? Po fëmijët e tjerë nuk të pyetën pse po ikën atje?Eh, çfarë dinim ne atëhërë, nuk kemi pasur kështu... Ka qënë një gjë personale. Nuk kemi ditur të arsyetonim gjatë.Të ka ndikuar xhaxhai që ishte famulltar në atë kohë apo ishte e jotja, personale më shumë?Jo, xhaxhai ishte famulltar në atë kohë në Laç të Vaut të Dejës.Por ai kishte komunikim me ne, se ai s’ka pasur tjetër njeri, veç vëllanë, kunatën, mua. Atëhërë kam ndjekur si konviktore aty, dy vjet, por me vajza të Kuvendit në Shkodër. Mbas dy vjetësh i kam thën: Bëj si të duash, se unë prej këtu, nuk dal!Kujt ia the, babait?Jo. Axhës! Babai më la pas kësaj, se nuk kishte nga t’ia mbante. Ai druante, se ishte punë fëmijësh, 10 vjeç. Duhej të thoshe po a jo për Kuvend, por mua ishte duke mu ‘pjekur” përherë e më shumë, nxehtësia për në Kuvend, kështu që s’më ka bërë përshtypje se kam hyrë e vogël. Kam vazhduar shkollën në Kuvend; 7 vjet kam ndenjur brenda. Pas 7 vjetësh ka ardhur regjimi dhe më 1946 na kanë nxjerrë jashtë.Çfarë ju mësonin atje? Çfarë bëre në këto 7 vjet?Kemi bërë shkollë si të gjithë, si të gjithë. Ka qënë shkollë shtetërore e jona. Ka pasur edhe vajza nga jashtë, jo vetëm ne. Unë kam pasur në klasë 30 e ca shoqë të tjera, të jashtme. Kam qënë dhe këtu vetë e katërta, shoqe me një motër që është këtu prapë present dhe dy të tjera. Edhe me Marien Tucin kam qënë në një klasë.Marie Tuci, që është një nga martiret?Po, kemi qënë në një klasë. Atë e kanë nxjerrë përpara mugeshat se pati një dhimbje gjuri. E nxorën për kurim, për të shkuar në familje dhe Marien e zuri kjo kohë atje. Ka shkuar para nesh në shtëpi kurse ne kemi dalë në 10 mars 1946.Çfarë ndodhi me Marie Tucin, e mban mend?Për atë nuk di gjë më pas, sepse kemi shkuar nëpër shtëpira dhe koha e regjimit dihet, ka qënë shumë e vështirë. Nuk kemi pasur lidhje kurrsesi, as me njera-tjetrën, përveç kësaj motrës që është këtu me mua, e cila është munduar të më ndjekë me një shoqe tjetër që kemi pasur në Shkodër, por fshehurazi. Kanë ardhur dhe unë kam shkuar tek ato kur kam qënë në Shkodër, por gjithçka fshehurazi.Kur flisnit me njera – tjetrën në atë kohë, nuk kishit frikë? A ishin në dijeni që po vinte komunizmi, mund të kthehej në një shtet ateist? Diskutonit me njera – tjetrën apo erdhi krejt pa pritur ai vendim?Ka ardhur e papritur, sepse nuk e dinim se çfarë po vinte.A pati ndonjë moment kur mendove se mbase ky qe fati? Këta vendosën ateizmin e duhet të heq dorë nga Zoti?Jo, atë kurrë! Kam qënë aq e lidhur sa me dhënë edhe jetën, s’më bënte përshtypje. Të jepja jetën për fe. Megjithëse, bën vaki s’kisha qënë e zonja, por si mundim, si kështu…Përse e keni fjalën që “s’kisha qënë e zonja”? Mbase përballë torturës, vuajtjeve?Nuk e di se çfarë mund të kishte ndodhur, por në emrin tim kam qënë aq e fortë sa thoja se asgjë kurrë nuk më ndalon ta heq Krishtin.Po çfarë është kjo lidhje e veçantë që ke me Krishtin, me Zotin?Ajo është gjendje shpirtërore. Çdo njeriu i flet gjendja e vet shpirtërore. Ty, tjetrit e atij tjetrit i flet gjendja shpirtërore.Po në momente të vështira, kur erdhi ateizmi dhe ju futën në kooperativë, a bisedoje me të, a i kërkojë shpjegime për këtë që po ndodhte në Shqipëri? Për vuajtjet që po pësonin klerikët e tjerë? Për martirët, që po torturoheshin?Krishtit i jemi lutur gjithmonë por është dashur të themi me aq vullnet sa kishim. Zoti e dinte vetë. Ne kemi pasur lutjen, jemi munduar me lutje sepse tjetër gjë nuk kemi pasur mundësi për të bërë.Por në atë kohë edhe lutja nuk lejohej.E bëja fshehurazi. Ndërgjegjen s’na e ndalonte askush, mendjen s’na e dinte askush. Unë kam pasur fatin të jem këtu, në një katund të mirë, që nuk më kanë gjurmuar nga ana e fesë. E dinin se isha nisur në atë rrugë, por ama nuk më kanë gjuajtur.Para Papa Françeskut treguat një histori sesi një grua iu kërkoi të pagëzonit fëmijën e saj. Mund të na e tregosh sesi ishte ky moment?Isha duke ardhur rrugës, se kam pasur një teze në një fshat tjetër, kur më thërret një zë nga mbrapa. Por unë e dija që Maria kishte shumë. Më në fund u ktheva dhe pashë një grua, kur më thotë : Aman, se unë për këtu e kisha fjalën”. Ishte me një fëmijë në krahë dhe më thotë dua të ma pagëzosh këtë fëmijë. I them nuk kam mundësi, se këtu nuk kam as me se. “Bëj si të duash, - më thotë, - kanali ja tek është këtu afër.” Por nuk kisha asnjë send, asnjë enë me vete, as ajo nuk kishte. Atëherë jam detyruar e kam hequr këpucën, kam marrë pak ujë aty dhe ia kam pagëzuar në rrugë të madhe. Ishte e shoqja e një komunisti. Se një herë e bëra mend të shkoja tek shtëpia e saj, por e dija se ishte e shoqja e një komunisti. Ndaj e pagëzova aty në rrugë të madhe.A kishe frikë se mos të denonconin se i praktikoje ende ritet fetare?Ma ka hequr Zoti frikën, nuk kam pasur.Ishe e vetëdijshme se mund të të provokonin, se mund të të dërgonin njerëz?E merrnim pak me mend, por prapë nuk pasur frikë.Po si ndodhi që shpëtove, se mund të kishe pasur një fund në burg? Si e shpjegon? Ka qënë ambient këtu që të ka mbrojtur në një farë mënyre apo nuk kishin interes të arrinin deri tek ju?Nuk kishin, se unë isha një fshatare e varfër dhe nuk kisha “përpjekje” me askënd. Më ka ndodhur njëhërë një tronditje, që nuke kam treguar, por ndonjëherë edhe e kam rrëfyer. Kam qënë duke shkuar në qytet. Kisha punët e mia. Më del para një njeri e më thotë:”Ku shkon?” Unë mendov a se ai ishte jabanxhi dhe donte të dite ku të shkonte, në cilën lagje ishte. I them unë:”Rrugës” duke pritur se çfarë do të më pyesë. Përsëri ai :”Ku shkon, ku shkon” nja dy – tri herë. Më bëri shumë përshtypje dhe unë vazhdoja të ecja. “Ndalu, - më thotë, - me ty flas.” U ndala. Më tha: “Çfarë ke aty në çantë?” I them: “Rrobat e mia, si çdo njeri”.Më mori çantën, e kontrolloi dhe s’gjeti gjë, se s’kishte ç’të gjente. S’kisha veç dyqind lekë, asgjë tjetër. Në fakt, herë të tjera, shkoja në Shkodër dhe punoja atje ku merret kungimi...Kishe ndonjëherë besim se liria e besimit do të kthehej?I humbëm të gjitha shpresat. Nuk e kisha menduar. Kam menduar dhe jetën e vetme, kur më vdiq mamaja ime. Vetëm se u lëshova në dorë të Zotit. Nuk e dija që do të hapej sërish kuvendi, por mendoja se sido qoftë do të gjeja një azil pleqsh të jetoja.Ke menduar ndonjëherë se marrëdhënia me Krishtin duhej ndryshuar dhe të ndërtoje një familje?Jo në asnjë moment. Në asnjë moment nuk u tundove?Jo jo nuk më ka ndodhur asnjëherë.Vura re që nuk doje të dilje në television, të jepje intervista, hezitoje?Personat që janë të shenjtë janë të shenjtë por unë nuk jam as në këmbët e tyre. Unë cfarë kam bërë e kam bërë për ndërgjegjen teme e dashninë e Zotit dhe jo për të dalë në kamera. Pasi nuk i kam parë as në ëndërr. Për mua kanë kenë me emocione, sepse të dal para Atit të Shenjtë nuk është e vogël. Kush jam unë e kush është ai. Megjithatë Zoti pranon dhe ata që nuk dinë.Megjithatë individët e kanë në dorë mirëqënien që ndërtojnë. Në Pistull unë shoh varfëria, gjithë këto vite demokraci, e ke pyetur pse nuk po vjen zhvillimi këtu?TI nuk e njeh më përpara. Kemi qenë shumë të varfër. Ka pasur raste kur të rinjt shkonin në punë duke ngrënë një copë kallamoç. Mua më duken shumë mirë por punojnë pak. Tani përtojnë të punojnë edhe kopshtin e vet.A je ndjerë e lumtur që ke zgjedhur Zotin të ndash jetën me të? Cfarë është Zoti për ty?Jam shumë e lumtur. Zoti për mua është gjithçka. Cfarë u këshillon të rinjve?Të jenë më të afërt me Zotin e të mos jepen pas luksit e qefit të kësaj jete. Të gjitha do ti lëmë këtu ku janë. Ne nuk rrojmë gjithmonë.(Intervista e plotë në video)(Video: Intervista e plotë e Maria Kaletës në "Tonight Ilva Tare")Me Pashkun, duke pritur Atin e Shenjtë…Mirjan Jani: S’e harroj takimin me Papa Franceskun, i tregova jetën timear.sh/Oranews.tv