SHBA, në fokus reformat e emigracionit dhe kabineti i Obamës
Përpjekjet për reforma në emigracion si dhe vota në Senat për kandidaturat që ka paraqitur Presidenti Barak Obama për postet kryesore të kabinetit të tij do të bëjnë këtë një javë të ngarkuar politike.Presidenti Obama do të shkojë në Las Vegas për të siguruar mbështetje publike për të refomuar sistemin e emigracionit në Shtetet e Bashkuara.Nevada është një ndër shtetet e shumta me një përqindje të konsiderueshme hispanike që mbështeti në masë dërrmuese rizgjedhjen e Presidentit Obama vjet. Presidenti ritheksoi angazhimin e tij për reformat në imigracion në fjalimin e tij javën e kaluar.Ligjvënësit amerikanë po punojnë për një projekt-ligj me mbështetje dypartiake, i cili do t'u ofronte një mundësi legalizimi miliona shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme, si dhe për të forcuar sigurinë kufitare në vend.Po këtë javë, Senati pritet të votojë në masë dërrmuese pro kandidaturës së Senatorit John Kerry si shefi i diplomacisë amerikane. Kerry do të pasojë Sekretaren aktuale të Shtetit Hillari Klinton.Senati do të hapë edhe procesin e shqyrtimit të kandidatës së Presidentit për Sekretarin e Mbrojtjes, Senatorit Chuck Hagel.Emërimi i Hagel është kritikuar nga ligjvënësit republikanë, të cilët ngrenë pikëpyetje për qëndrimin e tij ndaj sigurisë së Izraelit.Vota në Senat për të mbështetur ose kundërshtuar kandidaturën e Hagel mund të vërë në provë rregullat e reja të Senatit që janë hartuar me synimin për të shmangur ngërçe politike në këtë Dhomë.