Kavajë, Rama: Do bëjmë trotuare ku të mos ikë burri para, gruaja mbrapa e kalamajtë të humbin
Kavajë – Kryeministri Rama ka inspektuar sot punimet për rehabilitimin urban të qytetit të Kavajës, duke premtuar që atje se do të mbështesë çdo projekt që do të vijë nga ky qytet.Duke parë punimet e nisura në rrugë, Rama është shprehur me ironi se “trotuaret duhet të jenë trotuare, ku familja të ecë horizontalisht, jo të iki burri para, gruaja të vijë mbrapa dhe kalamajtë të humbin. Se këto ishin trotuaret që bënin ata.”I shoqëruar nga kryebashkiaku Elvis Roshi, Kryeministri Rama tha në fjalën e tij se “askush nuk e kishte parafytyruar që Kavaja, e cila për 20 vjet rresht i besoi votën PD-së, të transformohej në kantier ndërtimi pa u mbushur viti i parë i qeverisjes socialiste. 11 mijë metër katrorë të qendrës së Kavajës, me plus 3200 m2 park dhe rruga 2.5 kilometër, e transformuar në një rrugë europiane, ku standardet do të garantojnë jo vetëm vijueshmërinë e trafikut, por edhe ecjen e këmbësorëve dhe përdorimin e biçikletave janë vetëm fillimi i një investimi që do të vijojë intensivisht.Unë dëshiroj që t'ju siguroj për mbështetjen e plotë të qeverisë për Kavajën. Nga një qytet i cili ishte i mbuluar nga plehrat, nga pisllëku, nga rrëmuja, u kthye në një qytet që në radhë të parë e filloi nga pastërtia dhe nga disiplina në qarkullim, nga respekti për këmbësorët, për të moshuarit, për fëmijët. Ju siguroj që për sa i përket projekteve, ne do të mbështesim çdo projekt që do të na vijë nga Bashkia e Kavajës,” - ka përfunduar Kryeministri.armanda shtembari/Oranews.tv