Bashkësia Islame e Kosovës: Asnjë mbi ligjin, përgjegjësia është individuale
Prishtinë - Bashkësia Islame e Kosovës , pas arrestimit të 12 imamëve të saj, ka deklaruar se askush nuk është mbi ligjin dhe institucionet të bëjnë punën e tyre.Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka deklaruar për mediat kosovare se “askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe institucionet kompetente janë të thirrura ta kryejnë punën e tyre. Ne e kemi thënë edhe me parë dhe po e përsërisim, të gjitha paraqitjet e tyre janë publike dhe përgjegjësia është individuale."Pas arrestimeve të para të 11 gushtit 2014, Bashkësia Islame e Kosovës reagoi njësoj. Ajo përshëndeti me anë të një deklarate dhe e përkrahu, aksionin e organeve të shtetit si masë të nevojshme për ruajtjen dhe sigurinë e vendit.Vendi ynë dhe besimtarët tanë, në asnjë mënyrë e në asnjë rrethanë nuk duhet që të jenë pjesë e grupeve ilegale që me aktivitetin e tyre rrezikojnë jetën e të rinjve tanë dhe kërcënojnë sigurinë e vendit, - thuhej në deklaratë."Bashkësia Islame e Kosovës kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura ndaj kujtdo qoftë që rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe rendin kushtetues të vendit. Bashkësia Islame e Kosovës po ashtu edhe me këtë rast shprehet kundër atyre që përkrahin e promovojnë gjuhë të urrejtës, interpretim të ngushtë të mësimeve fetare dhe politizimit të fesë.Ftojmë qytetarët tanë që të përkrahin organet e shtetit dhe të mos bien pre e individëve të papërgjegjshëm e të pa adrese që manipulojnë fenë për qëllime johumane e jo fetare.Bashkësia Islame e Kosovës, edhe njëherë fton besimtarët e në veçanti të rinjtë tanë, që të mos bien pre e grupeve të ndryshme që thirren në emër të të ashtuquajturit xhihad e njëfarë Halifati,"- përfundon deklarata e datës 11 gusht 2014.ar.sh/Oranews.tv"