Vrasjet e xhihadistëve nga Kosova, mobilizohen institucionet
Raportimet se nga një sulm ajror dje në Irak janë vrarë 8 xhihadistë shqiptarë, 6 prej të cilëve nga Kosova, ka mobilizuar institucionet e Kosovës.Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka bërë të ditur se po bëjnë përpjekje për të siguruar informacione rreth këtij rasti.Informacioni se nga një sulm ajror në Irak, dy ditë më parë janë vrarë 11 luftëtarë të Shtetit Islamik (ISIS), tetë prej të vrarëve u tha se janë shqiptarë, gjashtë nga Kosova, një nga Maqedonia dhe një nga Shqipëria.Ndërsa që nga fillimi i konfliktit në Siri dhe Irak, raportohet se atje janë vrarë gjithsej 40 shqiptarë. Kjo situatë ka aktivizuar institucionet e Kosovës për të verifikuar informatat e këtilla.Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi tha për RTK-në se ende nuk kanë asgjë zyrtare në lidhje me këto informata. Selimi shtoi se janë në kontakt me ambasadat e shteteve mike për tu interesuar rreth këtij rasti pasi që bëhet fjalë për shtetas të Kosovës.Të kontaktuar nga RTK-ja, edhe Policia e Kosovës thotë se nuk kanë informata zyrtare që gjashtë shqiptarë nga Kosova kanë humbur jetën nga një sulm në Siri.Raportohet se që kur ka nisur konflikti në Siri mes regjimit diktatorial të Bashar al-Assadit dhe rebelëve, në frontet e luftës kanë vdekur më shumë se 150 mijë luftëtarë sirianë, përfshirë këtu edhe vullnetarë nga Ballkani.Ndërsa në mesin e viktimave janë edhe 40 shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.Marrë nga RTK