Belgjikë, i burgosuri përdhunues "e fiton" dënimin me vdekje
Dënimi me vdekje është mjaft i kontestuar në të gjithë botën. Edhe në vendet ku është i ligjëruar zhvillohen vazhdimisht fushata për t'i dhënë fund.Por ndodh edhe e kundërta. Një i burgosur belg, i cili ka përfunduar pas hekurave pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje dhe përdhunim ka fituar të drejtën që mjekët t'i japin fund jetës së tij, pas një vendimi befasues të një gjykate në Belgjikë.Frank Van Den Bleken ka argumentuar kërkesën e tij para gjykatës, duke thënë se nuk kishte asnjë mundësi që ai të rehabilitohej pasi nuk mund të kontrollonte instiktet e tij të dhunshme seksuale.Avokati i tij tha se Van Den Bleken nuk mund të vazhdonte më të jetonte në këtë mënyrë kështu që kërkoi t'i jepte fund jetës."Ai është në burg prej 30 vitesh, dhe ka katër vjet që kërkon të kryejë eutanazi, sepse vuan prej shumë kohësh dhe nuk mund të vazhdojë më në këtë mënyrë", tha Jos vander Velpen.Ligjet për zbatimin e eutanazisë në Belgjikë janë futur në fuqi 12 vjet më parë, por vendimi i gjykatës ishte i pari që merrej për një të burgosur."Një numër i madh mjekësh kanë thënë se ai vuan prej kohësh dhe nuk ka asnjë mënyrë që dhembja të kalojë. Dhe fakti që dhembja i vjen nga gjendja psiqike e kaulifikon që të zbatohet ligji për eutanazinë", shtoi avokati.Ende nuk dihet se kur do të kryhet procedura, por e sigurt është se do të zhvillohet në spital. Kërkesa e të burgosurit është mohuar më parë nga Ministria e Drejtësisë pasi ashtu si vendet e tjera të Bashkimit Europian, edhe Belgjika nuk e përfshin dënimin me vdekje.Si një vend ku shumica e popullsisë është e besimit katolik, edhe për zbatimin e eutanazisë ka pasur shumë protesta nga grupimet fetare, sidomos në disa raste të fundit, ku gjykata ka aprovuar kërkesat e dy binjakëve të shurdhër, të cilët po humbisnin edhe shikimin dhe të një transeksuali të cilit i kishte shkuar keq operacioni i ndërrimit të gjinisë.