1 vit me Ramën në “Tonight Ilva Tare”, dështimet dhe sukseset e qeverisë

Tiranë- Sikundër pas çdo viti qeverisës, ka edhe bilance. Ky bilanc i vitit të parë qeverisës të mazhorancës së majtë nën drejtimin e kryeministrit Rama për analistët ka suksese dhe dështime.Në studion e “Tonight Ilva Tare”, analistët Artur Zheji, Mustafa Nano dhe politologu Afrim Krasniqi dhe pse të ndarë në qëndrime, u bashkuan rreth faktit se “Rama ka dështuar në raport me mbajtjen e premtimeve të 23 qershorit.Sipas Drejtorit të botimeve“Mapo”, Artur Zheji, duhet një vullnet më i fortë qeverisës në kryerjen e reformës në drejtësi dhe në rizgjimin e ekonomisë shqiptare.Zheji thotë se mazhoranca është në stepje, ndërsa si dështimin më të madh ia atribuon fajësimin më tepër se duhet të ish-mazhorancës, sot opozitë.“Reformizmi në gjykimin tim duhet të jetë karakteristika kryesore e kësaj mazhorance dhe stepja ndaj tyre do të ishte vetëvrasje. Rilindja është një koncept metaforik shumë i madh, duhet të kalojnë disa breza në një hark 100 vjeçar. Rama lexoi një nevojë për rilindje dhe e premtoi atë në fushatë.Nga kjo tek realizimi...Dështimi më i madh që ka pasur Rama është se fajëson pak si tepër opozitën dhe ish-mazhorancën. Kjo është një tentativë për të arnuar ato rezultatet të pa mbërritura. Kjo është pjesë e stepjes, për të fituar kohë dhe për të lënë në të kaluarën shumë gjëra. E shikon se realizimi i këtyre gjërave kërkon kohë më të madhe”.CaptureNdërkaq politologu Afrim Krasniqi, qeverinë Rama e vlerëson me notën minimale kaluese 5.Ndër dështimet e qeverisë rendit reformat e premtuara në sistemin gjyqësor, arsim, shëndetësi, në plotësimin apo funksionimin e institucioneve kushtetuese.Suksesin më të madh të qeverisë Rama ai e sheh në politikën ndërkombëtare, ku sipas tij kemi rikthimin e një lloj normaliteti në raport me partnerët.“Ky vit provoi se PS dhe e majta harxhoi të gjitha energjitë për të ardhur në pushtet, por nuk pati plan për të administruar këtë pushtet. Ditën që mori votat nuk arriti ta kthejë këtë pritshmëri masive në reforma të mëdha. Nuk ishte gati në program, nëse heqim natën e fundit të parlamentit në korrik, e gjithë periudha tjetër nuk ka pasur asnjë vendim të rëndësishëm në Shqipëri. Suksesi më i madh ka qenë kthimi i një lloj normaliteti në raport me partnerët ndërkombëtarë. Shqipëria gjatë këtij viti riktheu një lloj imazhi pozitiv, një lloj besimi pas një kritikave në vite.Gjëja më negative e vitit ishin ndryshimet në administratë. Premtimi kryesor ka qenë se nuk do ndryshojmë individët por sistemin, deri më tani ka ndryshuar vetëm individët. Copëzimi i pushtetit me aleatë, nevoja politike të ditës, po bën të njëjtat gjëra që ka bërë dhe pala e kaluar, që në dallim ishte në konsumin ekstrem të saj. Ndërsa pala e re është në vitin e parë qeverisës, në kulmin e muajit të mjaltit me votuesit. Së fundi në sjelljen publike, qytetarët kanë votuar kundër palës tjetër, jo pro palës aktuale, kundër korrupsionit dhe kundër arrogancës. Gjeja që nuk më pëlqen në retorikën e vazhdueshme është ideja e nisjes nga zero, “po bëjmë gjëra që nuk kanë ndodhur në 20 vjet” dhe e thonë ata që kanë qeverisur në gjysmën e këtyre viteve.Ndërsa Mustafa Nano, mendon se qeveria Rama gjatë këtij viti është marrë me mbrapshtitë e së kaluarës, si mbyllja e Universiteteve kioska, prishjen e ndërtimeve pa leje, legalizimet, ndërhyrja në Lazarat etj.Por qeverisë i japin identitet reformat dhe përveç asaj territoriale ka bërë pak.“Më ka rënë në sy për keq një përpjekje e vazhdueshme për të bërë propagandë, i shoh shumë në ekran. Këtë kam vënë re si anë negative të kësaj qeverie. Më vjen mirë që nuk presin shirita, kemi shpëtuar megjithëse nuk ka pasur vepra të reja dhe nuk duhen pritur për shkak të krizës dhe situatës, Shqipërisë të cilën e kanë marrë në dorë një vit më parë këta njerëz.E kanë marrë në një ditë të zezë Shqipërinë në financa. Kanë një vit që po bien në sy për ndreqjen e disa mbrapshtive që janë bërë. Kanë ndërhyrë tek bota e Universiteteve, por nuk bën pjesë tek reforma, është eleminimi i një situate idiotike. Reforma në arsim nuk ka të bëjë me këtë, kërkon një reformë të madhe.Krahasuar me premtimet që ka bërë kjo qeveri është e dështuar. Ka bërë premtimin për të shëndoshur gjendjen në shëndetësi dhe unë që tani mund ta regjistroj si premtim të pambajtur. Unë sistem shëndetësie po quaj dhe atë në Maqedoni.Këtu është gjendja ku thërret qiameti. Ndërhyrjen mund ta bëjë një qeveri që nuk mendon për zgjedhjet e ardhshme. Rama e ka lëshuar këtë premtim pa e menduar mirë dhe nuk do ta mbajë edhe pas tre vitesh. Apo premtimet për shtimet e vendeve të punës. Ai e ka marrë Shqipërinë në krizë dhe do vazhdojë të ketë kështu edhe gjatë 3 viteve të ardhshme”.