Rama në Presidencë tek Nishani, takim i palajmëruar për Fullanin dhe BSH

Tiranë -Arrestimi i Guvernatorit Fullani dhe situata e krijuar në Bankën e Shqipërisë ka shtuar takimet mes Presidentit Nishani dhe Kryeministrit Rama.Pas takimit të disa ditëve më parë, para mesditës të së dielës, Kryeministri ka hyrë në zyrën e Nishanit; është përpjekur që 30 minutat e takimit kokë më kokë mes dy zyrtarëve të lartë, të zhvillohen jashtë syrit të mëdiave, ndërkohë që Presidenca nuk ka njoftim për takimin, heshtje që është respektuar edhe nga Kryeministria.Ky takim vjen në një kohë kur drejtësia ka në dorë ndoshta dosjen më të rëndësishme të viteve të fundit, ndërkohë që i paraprin një vendimi mjaft të rëndësishëm, ku të hënën Gjykata e Apelit do të vendosë mbi fatin e Fullanit, të qëndrojë në burg apo të hetohet i lirë.Sakaq, Parlamenti ka programuar të enjten për të vendosur shkarkimin e Guvernatorit, por ndoshta ky takim mes dy zyrtarëve të lartë të shtetit mund të sjellë përshpejtim të procedurës, duke ndikuar në thirrjen e një seance jashtë rendit.Temë diskutimi mes kreut të shtetit dhe Kryeministrit, mendohet të ketë qënë dhe gjetja e një emri të pranueshëm për palët, që do marrë drejtimin e institucionit më të lartë financiar në vend.Sipas Ligjit për Bankën e Shqipërisë, Presidenti ka tagrin për të propozuar emrin e Guvernatorit e më pas ai do të kalojë për votim në parlament, por në kohën kur marrëdhëniet mes mazhorancës dhe Presidencës nuk janë në ditët më të mira, të dyja palët duhet të gjejnë gjuhën e konsensusit për të tejkaluar një tjetër ngërç institucional.Oranews.tv