Të tjerë zyrtarë të lartë në pranga? Llalla: Nën hetim disa çështje
Arrestimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani, duket se nuk do të mbetet rast i izoluar.Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla, ka bërë me dije se institucioni që ai drejton ka nën hetim një numër të konsiderueshëm zyrtarësh, kryesisht të nivelit të lartë, që dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.“Kam rreth dy vjet në pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë dhe konstatohet se po konsolidohet ndjeshëm komunikimi ndërmjet institucioneve ligjzbatuese. Shqipëria tashmë ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe lufta kundër korrupsionit konsiderohet prioritet kombëtar. Aktualisht, krahas çështjeve që janë në gjykim, autoritetet hetimore shqiptare kanë nën hetim një numër të konsiderueshëm zyrtarësh, kryesisht të nivelit të lartë, që dyshohet se janë të përfshirë në veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës”ka deklaruar Llalla.Ndërsa prej 3 muajsh korrupsioni i zyrtarëve të lartë është kompetencë e hetimit nga Prokuroria për Krime të Rënda në Shqipëri, Llalla deklaron se kjo strukturë e posaçme po përballet me një fluks gjithnjë e në rritje të investigimit në këtë drejtim.“Ka pak më shumë se tre muaj që korrupsioni i zyrtarëve të lartë është kompetencë e hetimit nga Prokuroria për Krime të Rënda në Shqipëri. Nga volumi i deritanishëm i punës, vlerësohet se është e nevojshme shtimi i kapaciteteve njerëzore, pasi numri i hetimeve për korrupsionin në nivele të larta po pëson një rritje të ndjeshme”.Deklaratat Llalla i bëri në Konferencën “Mbi korrupsionin dhe Shoqërinë”, zhvilluar në Bukuresht të Rumanisë, në kuadër të 25-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit.Fokusi i prezantimit të prokurorisë shqiptare në takim ishte edhe tek lufta kundër krimit të organizuar. Për të përballuar këtë sfidë që i kalojnë kufijtë e një shtetit, Prokurori i Përgjithshëm vuri theksin tek bashkëpunimi ndërkombëtar.“Në bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria po punon për krijimin e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore. Këto struktura janë një mënyrë efikase e komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet shteteve të ndryshme për luftën kundër trafiqeve dhe krimit ndërkufitar”.