Gjoni në Prokurori: Për vjedhjen mësuam ditën kur Fullani e denoncoi
Tiranë - Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë nuk ka ditur asgjë për atë që ndodhte në Departamentin e Thesarit, ku për 4 vjet, Ardian Bitraj vodhi 7 milionë dollarë. Për vjedhjen, 6 anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, Elisabeta Gjoni, Ela Golemi, Petraq Milo, Dhori Kule, Adrian Civici dhe Ermelinda Meksi, janë njoftuar nga Guvernatori Ardian Fullani në datën 21 korrik, ditën që Bitraj u vetëdenoncua.Këtë gjë mësohet të ketë deklaruar në Prokurori, Elisabeta Gjoni, Guvernatore e komanduar, pas arrestimit të Ardian Fullanit.Numri një i Bankës qëndrore u thirr për dëshmuar për atë që ka ndodhur në Departamentin e Emisionit. Është paraqitur rreth orës 9, ashtu siç ishte njoftuar një ditë më parë. Habia ishte që dera kryesore e Prokurorisë ishte e mbyllur.Gjoni është pritur nga prokurori i çështjes, Ramadan Troci dhe dy oficerë të policisë gjyqësore.Numri një i bankës ka shpjeguar pozicionin e Këshillit Mbikqyrës në atë çfarë ka ndodhur në Thesar; ka dhënë përgjigje për rregulloret dhe aktet ligjore që Këshilli nxjerr për mbarëvajtjen e punës në Bankë; gjithashtu ka argumentuar dhe inventarizimet dhe auditet e bëra nga Banka, të cilat nuk e kanë pikasur që në Thesar mungonin para.Pas 2 orë e 30 minutash, Elisabeta Gjoni ka dalë nga organi i hetimit. E gjendur mes mikrofonave të televizioneve, nuk ka dashur të komentojë asgjë.Grupi hetimor ngritur nga task-force e Prokurorisë së Tiranës pritet që të marrë në pyetje 14 personat që tashmë ndodhen në qelitë e paraburgimit. Me rëndësi do të jetë ripyetja e Ardian Bitrajt, për të cilin ka dyshime se nuk ka vepruar vetëm. Pikëpyetje e madhe e hetimit është dhe shuma e parave të vjedhura, pasi ka dyshime se janë më shumë. Në të tilla kushte, skandali i Bankës Qëndrore mund të marrë përmasa akoma më të mëdha dhe mund të përfshijë të tjerë persona, të cilit mund të kenë rol në zhdukjen e parave nga Thesari. Pas dyshimeve që Bitraj mund të mos ketë vepruar vetëm, hetimet kanë filluar dhe për mënyrën se si janë nxjerrë paratë nga aty.
(Ne foto: Guvernatorja duke hyre ne Prokurori)