40.000 lekë ryshfet për patentë shoferi, arrestohen instruktori e polici

Tiranë- Një instruktor autoshkolle dhe një punonjës policie pranë Policisë Ushtarake në Tiranë kanë rënë në prangat e policisë për akuzën e “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.Të arrestuarit janë Ilia Ameti, 64 vjec, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë me detyrë instruktor pranë një autoshkolle dhe Astrit Hima, 44 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Tiranë me detyrë punonjës policie pranë Policisë Ushtarake në Tiranë.Ndalimi i shtetasve të mësipërm u bë i mundur nga sektori Kundër Krimit Ekonomik Financiar në kuadër të Operacionit policor të koduar “Lejet e drejtimit”.Sipas policisë Ahmeti dhe Hima në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se u kërkonin dhe merrnin përfitim të paligjshëm në vlerën 40.000 lekë, kursantëve të ndryshëm, me qëllim ndërhyrjen pranë anëtarëve të komisionit dhe shpalljen fitues në provimin teorik për lejen e drejtimit.Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia, dy të arrestuarve iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dosje të ndryshme kursantësh, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash.Ndërkaq materialet iu referuan Prokurorisë për hetime të mëtejshme.