Kur shteti të nxjerr në rrugë, historia e familjeve që INUK u rrënoi shtëpitë
Tiranë- Pak ditë më parë familja Kuka u nxor në këtë mënyrë nga shtëpia në të cilën jetonin që prej 2005.(ne foto)
INUK me mjete të rënda të ndihmuara edhe nga policia u rrënoi ndërtesën trekatëshe ku jetonin edhe dy familje të tjera.Të mbetur në rrugë të madhe bashkë me gjyshen 80-vjeçare dhe bashkëshorten e sëmurë me zemër, me serum te koka familja e Halil Kukës ka gjetur strehë në një kasolle ku duhet të ndajnë pak metra, 6 persona.(në foto)
“Këtu pa drita. Komshinjtë më kanë lidhur një prizë atje matanë, pa ujë, më kanë nxjerrë një zorrë me ujë komshinjtë. Unë jam zero tani.Ku ta gjej shtëpinë,duhet ta paguaj. Cili shtet e nxjerr kështu qytetarin e vet, qytetarin më të rregull, ja ku i keni faturat e dritave, të gjtha i kam paguar”thotë e zonja e shtëpisë.“ Siç mund ta shihni kjo është shtëpi shumë e vogël, as shtëpi nuk mund të quhet, po jemi sistemuar të paktën sa të fusim kokën diku, gjysma e materialeve na kanë mbetur jashtë”shprehet vajza e çiftit Kuka.Familjes që i ka rënë llotaria e rruspës tashmë nga kjo kasolle, duhet të mësohet me rrënojat e shtëpisë që e iu shfaqet sa herë hapin sytë në mëngjes.Familja Kuka thotë se nuk është njoftuar sipas rregullave nga INUK dhe se për shtëpinë paguanin detyrimin financiar për legalizimet.“ I kam bërë të gjitha letrat,kam paguar të gjitha biletat unë dhe djali, vazhdimisht i kemi paguar të gjitha”.Avokati, Isuf Shehu, e sheh situatën me prishjet e banesave në aspektin ligjor dhe u jep të drejtë familjarëve.“Normalisht brenda këtyre 10 ditëve institucioni dhe në përputhje me nenin 130 kodi i procedurës administrative duhet ti lërë kohë subjektit të cilit i është nxjerrë vendimi për prishjen e objektit në pronësi apo posedim të tij që të ndërmarrë hapat ligjorë për mbrojtjen e interesave të veta ligjore, pronësisë që ai pretendon. Që do të thotë se INUK brenda këtij 10 ditëshi nuk mund të marrë asnjë vendim”.Kushtetuta i garanton çdo qytetari të Republikës të drejtën për një strehë ku të fusë kokën, por shpesh nuk ndodh kështu.“Shteti në këtë rast nëse ka për të prishur në një zonë të caktuar objekte, të fundit që duhet të prishen janë objektet e strehimit dhe këto objekte detyrimisht duhet të shoqërohen me një plan të qartë dhe të detajuar lidhur me problemin e strehimit”thekson avokati.