“Prova” 5 mijë lekëshe që prangosi numëruesit e Bankës së Shqipërisë
Tiranë- Arrestimi i anëtarëve të Komisionit që numëronte paratë e Bankës së Shtetit zgjeron skandalin e vjedhjes së mbi 7 milionë dollarëve.Faktet që ka siguruar grupi hetimor nxjerrin në pah një detaj më shumë se interesant. Ardian Bitraj merrte nga kolitë me para në thesarin e shtetit vetëm prerje 5 000 lekëshe, që është edhe prerja më e madhe e monedhës shqiptare.Sipas një materiali konfidencal të siguruar nga Ora News nga burimet pranë grupit hetimor, evidentohet se edhe inventari i bërë në arkën stok e nxjerr gjendjen e kësaj kartëmonedhe në përputhje me pasqyrat e kontabilitetit që kishte në dorë për verifikim komisioni i Inventarizimit, tashmë i prangosur.Në urdhërin e ndalimit të Prokurorisë së Tiranës, lëshuar për 7 anëtarët e Komisionit të Inventarizimit të Bankës së Shqipërisë, janë përmendur detaje mbi sasinë e inventarizuar të kësaj prerjeje (pra, 5000 lekë). Theksimi i sasisë së kësaj prerjeje është rrjedhojë e faktit se i dyshuari kryesor për vjedhjen e parave në Bankën e Shqipërisë, shtetasi A. Bitraj, ka deklaruar se nga arka stok dhe arka në veprim ka marrë vetëm nga këto prerje (pra, prerjen me vlerë më të madhe në qarkullim në Shqipëri).Gjithsesi, Prokuroria e Tiranës ka në shqyrtim materialin për të gjitha prerjet e tjera. Pasi, pavarësisht deklarimeve të të dyshuarit kryesor, organi i Prokurorisë po kryen verifikime të plota.Nga hetimet ka rezultuar se anëtarët e Komisionit të Inventarizimit akuzohen për "shpërdorim detyre", pasi në këtë periudhë të kontrollit dhe kryerjes se inventarizimit, nuk kanë verifikuar një me një të gjitha kolitë me vlera monetare në brendësi të tyre dhe konkretisht 8 (tete) arkave të dëmtuara dhe të liruara nga elementet e sigurisë që i rrethonin, në kundërshtim të Rregullores "Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë) të pikes a) nenit 12, Kreu III.Verifikimi me përzgjedhje, jo me pak së 5 % e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha kolitë.Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 (tetë) kolitë e prekura, të cilat do krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në kohë me të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen.