Hoxhaj në OKB: Serbia të respektojë marrëveshjen, të mbyllet UNMIK

Nju Jork- Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj kërkon në OKB respektimin e marrëveshjeve nga Serbia dhe mbylljen e UNMIK-ut në KosovëNë fjalën e tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, Hoxhaj ka kërkuar nga Serbia që t’i respektoj marrëveshjet e arritura deri më tani dhe të mos inkurajoj destabilizimin e situatës në veri të vendit, duke përmendur rastin e EULEX-it.“Qeveria e Kosovës dënon ashpër gjithë presionin e mundshëm ndaj personelit të EULEX-it, specifikisht kur është fjala tek arrestimi i kriminelëve të mundshëm që veprojnë në komunat veriore. Përtej kësaj, ne ndajmë shqetësimin serioz se autoritetet e Serbisë nuk janë përpjekur të implementojnë marrëveshjet tjera të arritura në këtë dialog. Gjatë këtij viti, Gjykata Kushtetuese e Serbisë ka revokuar Marrëveshjen mbi Kadastrat dhe atë për njohjen e dyanshme të diplomave universitare”, ka thënë Hoxhaj.Hoxhaj ka përmendur rastin e varrezës masive në Rashkë të Serbisë dhe nevojën për t’u identifikuar sa më shpejt civilët shqiptarë të zhdukur që nga viti 1999. “Deri sa po flas para jush, në qytetin e Rashkës në Serbi është zbuluar një varr masiv me rreth 350 trupa të civilëve shqiptarë të Kosovës të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ky nuk është varri i vetëm masiv i civilëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë dhe i zbuluar në Serbi”, ka thënë Hoxhaj, duke përmendur edhe rastin e peticionit për dhunën seksuale të femrave të ushtruar gjatë luftës në Kosovë, që nuk është trajtuar asnjëherë dhe që do t’i adresohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për të kërkuar nga kjo Organizatë të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe të sjell drejtësinë në vend, informon Zëri. info.Në fund të fjalimit të tij, kryediplomati kosovar ka ngritur nevojën e mbylljes së prezencës së UNMIK-ut në Kosovë për shkak të rritjes së rëndësisë kritike të BE-së dhe ndryshimit të rrethanave.“Derisa BE po merr rol më të madh në rajon, është e rëndësisë kritike që ky Këshill të konsideroj mbylljen e prezencës së UNMIK-ut në Kosovë, derisa kjo do të ishte në kohë të duhur, kostefektive dhe në përputhje me përkushtimin e OKB-së për të fuqizuar pronësinë lokale dhe strategjitë dalëse të suksesshme.Ne në mënyrë të përgjegjshme i rekomandojmë këtij Këshilli të rikonfiguroj praninë e UNMIK-ut nga misioni aktual në një mision të Zyrës Politike në Kosovë, e cila do të kishte një rol të ri mbështetës në forcimin e institucioneve të brendshme për më shumë përgjegjësi në angazhimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj.