Krasniqi: Rama e Basha, të detyruar të bashkëvendosin për të mirën e Shqipërisë

Tiranë - Rama dhe Basha, sado të fuqishëm qofshin, janë të detyruar të marrin bashkarisht vendime në të mirë të vendit. Do të duhet të ketë një takim ndërmjet tyre. Kështu argumenton analisti Afrim Krasniqi.Gjatë intervistës në studion e "Ora News", Krasniqi, i pyetur nëse do të duhet të kishte një takim ndërmjet kryeministrit dhe kreut të opozitës, tha:"Fati i Shqipërisë nuk varet nga dëshira e tyre dhe vullneti i tyre personal; fatet e Shqipërisë varen nga mënyra se si rakordon shoqëria me politikanët dhe me sistemin përfaqësues. Të dy, sado të fuqishëm qofshin, në të mirë apo të gabuar, do të jenë të detyruar të hyjnë në një rrugë institucionale dhe do të jenë të detyruar të marrin vendime në të mirë të vendit. Ndryshe, Shqipëria do të vazhdojë të jetë vendi i shanseve të humbura."Duke e lidhur mendimin me zhvillimin më të fundit politik në interes të vendit, Samitin e Berlinit, Krasniqi theksoi:  "Nëse ne flasim për shans historik në Berlin, është përgjegjësia historike e liderve të takohen me njëri-tjetrin dhe të bien dakort për reformat themelore, që nuk prekin interesat politike të ditës. Do duhet të ketë një takim Rama-Basha. Ne pamë se në Berlin u takuan Kryeministri i Shqipërisë me Kryeministrin serb dhe kryeministri i Kosovës ishte në tavolinë, madje në fotografinë e ditës sot,  duke parë një hartë bashkë me Kryeministrin serb."Duke folur më tej për Samitin e Zhvilluar në Berlin, politologu e quajti një ngjarje historike në disa aspekte, por ajo që është më e rëndësishme për Shqipërinë, ishte pranimi i Kosovës për herë të parë me statusit e vendit të barabartë,  në tryezën e bisedimeve."Samiti i Berlinit është historik në disa aspekte. Së pari, nëse ne e marrim si nismë, është nisma e parë politike nga Gjermania, shteti kryesorë i Bashkimit Europian. Së dyti, u përcaktua një axhendë të paktën 5 vjeçare, e takimeve të përvitshmë, ku raportohet dhe shikohet ecuria e punës, për të parë çfarë mund të bëhet më tej. Së treti, për Shqipërinë ka shumë rëndësi, sepse Kosova u pranua me statusit e vendit të barabartë  në tryezën e bisedimeve. Kjo nuk ka ndodhur në të gjitha takimet e samiteve. Kjo ndodh me rastin gjerman, ka ndodhur me rastin Obama në Poloni. Kjo është një shenjë shumë pozitive e përfshirjes së Kosovës. Dhe së fundmi, Gjermania mori një rol kujdestarie,"  - u shpreh Krasniqi.Së fundmi duke folur për vizitën e Kancelares Merkel në Shqipëri, shtoi: “Nëse unë i shikoj në memorien historike, të pakten 4 kryeministra na kanë premtuar që kancelari gjerman do të vijë në Shqipëri. Ka ardhur Gerhard Shërder, në rastin e luftës së Kosovës për të shikuar ata që quheshin refugjatët e luftës dhe jo për vizitë zyrtare. Kështu që do të ishte një shanc historik, nëse zonja Merkel do të vinte në Shqipëri, në këtë periudhë se është mbështetje për Shqipërinë”.