Bushati pret kryeparlamentarin japonez, impuls të ri marrëdhënieve dy palëshe

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Japonisë Bunmei Ibuki dhe delegacionin Parlamentar qe e shoqëron, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në vendin tonë.Ministri Bushati vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, duke u ndalur në thellimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ai gjithashtu e informoi Kryeparlamentarin japonez mbi rëndësinë që Qeveria shqiptare i kushton marrëdhënieve me Japoninë, duke shprehur gatishmërinë për t’i dhënë një impuls të ri bashkëpunimit mes dy vendeve. Ministri Bushati e falënderoi për kontributin e vazhdueshëm të dhënë nga Japonia nëpërmjet programeve të Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) në Shqipëri.Ibuki, nga ana e tij, konfirmoi gatishmërinë e palës japoneze për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Ai vlerësoi stabilitetin politik në Shqipëri si një faktor i rëndësishëm sigurie për stabilitetin dhe zhvillimet në rajon, i cili i hap udhën një pranie më të rëndësishme edhe të biznesit japonez në Shqipëri. Gjithashtu, Ibuki shprehu gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në organizatat financiare ndërkombëtare, si dhe për projekte të reja të rëndësishme për konsolidimin e ekonomisë shqiptare.