Vrau pronarin e servisit, në kërkim oficeri i SHISH, 10 të shoqëruar
Tiranë- Më shumë se 10 persona janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tyre në lidhje me vrasjen e pronarit të një gomisterije një ditë më parë nga një punonjës i SHISH.Xhevahir Mzhika, oficer i SHISH është ende në arrati, ndërsa operacioni për kapjen e tij ka vijuar edhe gjatë natës. Largimi i autorit të krimit në këmbë nëpër rrugicat e "Fushës së Aviacionit" në Tiranë ka bërë që ai të humbë shpejt gjurmët dhe për pasojë të vështirësojë edhe kapjen e tij nga policia.Ndërkaq mësohet se vëllai i viktimës, Florian Selmani ka shpëtuar për mrekulli nga plumbat, pasi punonjësi i SHISH ka qëlluar në drejtim të të dy vëllezërve Selmani.Sipas policisë fillimisht Xhevahir Mzhika është goditur me mjete të forta nga dy vëllezërit Selmani dhe më pas është larguar, duke u kthyer i armatosur dhe ka qëlluar mbi 33-vjeçarin nga Saranda, që prej disa muajsh ushtronte këtë aktivitet privat në kryeqytet.Burime të policisë zbulojnë se shkak i ngjarjes së rëndë ka qënë një aksident i lehtë që oficeri i SHISH ka pësuar pranë Kthesës së Kamzës, ndërsa ishte nisur për pushime me familjen e tij.Gjatë udhëtimit ka plasur njëra prej gomave, që kishte riparuar një ditë më parë në servisin e vëllezërve Selmani dhe për pasojë familjarët e tij kanë marrë plagë të lehta.Kaq ka mjaftuar që Xhevahir Mzhika të fajësojë pronarët e servisit dhe të konfliktohet me ta, duke shkuar deri në përdorimin e armës. Nuk dihet ende nëse plumbat janë qëlluar nga arma e shërbimit, apo tjetër armë që oficeri i SHISH mund ta dispononte pa leje.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter