Monti: Shpëtova Italinë, tani politikën
Kryeministri i dorëhequr i Italisë Mario Monti i cili është edhe kandidat për zgjedhjet e ardhshme, në të cilat kandidon edhe Silvio Berlusconi, ka publikuar një video në faqen e tij në Facebook.Në të, ai u tregon italianëve se, përse synon të rikthehet sërish në postin e marrë vetëm pak kohë më parë, nga i cili u vet-largua për shkak të krizës politike.“Pasi bëra diçka kaq shumë të vështirë, që ishte shpëtimi i Italisë nga kriza financiare, tashmë po mendoj të bëj diçka akoma më të vështirë. Do të doja t’i jepja më shumë seriozitet politikës sonë, e cila ka nevojë për një rritje kualitative, në mënyrë që të interesohet për problemet e vërteta të qytetarëve dhe për të ardhmen e Italisë”.Zgjedhjet politike të 2013-ës, për rinovimin e dy dhomave të Parlamentit italian, Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Republikës, do të mbahen më 24-25 shkurt 2013, pas shpërndarjes së Parlamentit më 22 dhjetor 2012, 4 muaj më herët nga fundi i legjislaturës së 16-të.Mario Monti është në krye të koalicionit “Me Montin për Italinë”.