Elbasan, i ndërpreu pagesën invalides, kryekomunari i Mollasit në gjyq

Elbasan-Prokuroria e Elbasanit ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj kryetarit të Komunës Mollas, Agron Hysa, i akuzuar për “shpërdorim detyre”.Sipas një njoftimi të Prokurorisë thuhet se nga hetimi ka rezultuar se funksionari lokal, nëpërmjet pozitës së tij, ka urdhëruar në mënyrë të padrejtë të mos i jepet pagesa e paaftësisë shtetases B. Gjata, invalide. Shkak për këtë është konflikti për një hapësirë publike, të rrethuar në mënyrë të padrejtë nga e dëmtuara.Në mënyrë reaguese për mungesën e zgjidhjes së këtij konflikti administrativ, kryetari i komunës ka ndërmarrë veprimin e kundërligjshëm të ndërprerjes së pagesës së paaftësisë, pavarësisht se kjo masë penalizuese nuk është zgjidhja e duhur e konfliktit administrativ.Ndalimi i pagesës së paaftësisë për shtetasen B. Gjata është kryer prej muajit Mars 2013 e në vijim, ndërkohë që këtë pagesë kjo shtetase e përfiton bazuar në dokumentacionin dhe ekzaminimet e kryera nga institucionet përkatëse.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter