Po analiza e lirisë ekonomike në 300 ditë?
Sipas Heritage Foundation, liria ekonomike është e drejta themelore e çdo njeriu për të qenë zot i punës dhe i pasurisë së tij. Në një shoqëri me liri ekonomike, individët janë të lirë të punojnë, prodhojnë, konsumojnë dhe investojnë në çdo mënyrë që e shohin të përshtatshme. Ndaj qeveritë duhet të lejojnë krahun e punës, kapitalin dhe produktet të lëvizin lirisht; duke e kufizuar përdorimin e forcës vetëm në ato raste kur ajo siguron vetë lirinë.Ashtu si shumë ekonomi në zhvillim edhe qytetarët shqiptarë duan të çlirohen nga varfëria dhe presin me padurim dinjitetin që vjen nga rritja e mirëqenies ekonomike. Kjo e fundit mund të arrihet vetëm kur ne të mund të ulim barrierat që pengojnë lirinë ekonomike, sepse kështu ne u mundësojmë qytetarëve të arrijnë qëllimin e tyre për të qenë të suksesshëm në shoqëri.Sipas Nobelistit Milton Friedman, ne mundemi të sigurojmë liri politike vetëm atëherë kur ne mund t’u sigurojmë qytetarëve liri ekonomike sepse, shton Friedman, në rast se na kontrollojnë në qëllimet tona në ekonomi, ne na kontrollojnë në gjithçka tjetër.Për këtë arsye, Fondacioni për Liri Ekonomike ka ndjekur me shumë interes Indeksin e Lirisë Ekonomike të publikuar nga Heritage Foundation në bashkëpunim me Wall Street Journal, ku falë politikave liberalizuese Shqipëria arriti në vend të 54-t në botë në vitin 2013 dhe me indikator më të lartë se mesatarja e lirisë ekonomike në rang botëror, me 66.9 pikë.Sipas studimeve të shumta ndërkombëtare konfirmohet se prosperiteti ekonomik nuk mund të arrihet pa liri ekonomike, e cila mundësoi vitalitet për bizneset vendase dhe ulje të varfërisë në Shqipëri për më shumë se 500 mijë njerëz në dhjetë vitet e fundit sipas të dhënave të anketës së bërë nga INSTAT, Banka Botërore dhe UNDP.Por nga ana tjetër, asnjë ekonomist nuk mundej të parashikonte krizën më të fortë globale që po i afrohej ekonomisë botërore në vitin 2008. Kjo krizë çoi në recension shumë vende të zhvilluara dhe të Ballkanit, por reformat strukturore të ndërmarra në Shqipëri e lehtësuan mjaft impaktin e kësaj krize globale ndaj qytetarëve tanë.Sipas Presidentit të BERZH, Suma Chakrabarti, “një ndër arsyet kryesore se përse Shqipëria i rezistoi krizës ishin reformat e duhura, të implementuara para se të fillonte kriza, reforma të cilat shtetet e tjera i implementuan vetëm pas krizës”.Kjo krizë globale u shndërrua në një test vendimtar për të ardhmen e politikave ekonomike të shumë vendeve në botë me pasoja të gjithanshme për to.Fondacioni për Liri Ekonomike ishte i qartë se, në kushtet e krizës më të fortë ekonomike botërore të100 viteve të fundit, Shqipëria duhej të ruante politika të taksave të ulëta dhe stabilitet makroekonomik. Suksesi i taksës së sheshtë u bë publike në një intervistë për televizionin CNN edhe gjatë krizës ekonomike në Greqi, ku Steve Forbes u shpreh se ky shtet mund të dilte nga kriza vetëm nëse adoptonte politika të taksës së sheshtë siç kishin Shqipëria dhe Bullgaria.Por në një periudhë kur ekonomia rajonale dhe europiane po jep shenja të rimëkëmbjes dhe të daljes nga kriza, Shqipëria po tregon se po shkon në kah të kundërt. Në indikatorin e ardhshëm të lirisë ekonomike, Shqipëria, fatkeqësisht do të humbasë vende për shkak të rritjes së menjëhershme të borxhit publik, i cili deri tani vlerësohet se do të jetë sa 74% e PBB-së.Gjithashtu, ndryshe nga më parë, ekonomia jonë do të operojë në kushtet e taksës progresive dhe do të qeveriset nga politika populiste e statiste, të cilat automatikisht përkthehen në lajm të keq për lirinë ekonomike dhe liberalizmin në Shqipëri.Kështu, Banka Botërore para pak javësh publikoi një raport të detajuar për 189 vende të botës, ku arrinte në përfundimin se me implementimin e taksës progresive Shqipëria tashmë renditet në vendin me taksat më të larta në rajon, e cila u konfirmua nga anketa e Konfindustrisë disa muaj më parë, sipas së cilës, 72% e biznesit të madh dhe 75% e biznesit të vogël shprehen se paketa fiskale do të rrisë kostot dhe do të ulë konkurrueshmërinë e prodhimeve vendase.Më i paprecedent po ashtu ishte pranimi nga ana e ministrit të Financave vetëm një muaj më vonë, se qeveria ishte nxituar dhe kishte vepruar me kokëfortësi në hartimin e kësaj pakete, e cila goditi bizneset dhe qytetarët e thjeshtë. Pasojat negative të paralajmëruara të taksës progresive i konfirmoi kryetari i Dhomës së Veshjes (fason), në tryezën e organizuar nga opozita me grupet e interesit dy ditë më parë, i cili u shpreh se tatim-fitimi me 15% po i çon drejt vështirësive të paparashikuara e drejt falimentimit.Kjo qeveri erdhi në pushtet për shkak të premtimeve populiste dhe është shqetësuese se çfarë ndodh me një ekonomi në rast se ajo ndjek këto politika dhe nuk lehtëson sipërmarrjen private në aktivitetin e saj. Një përgjigje vjen nga artikulli kryesor i revistës The Economist i datës 14 shkurt 2014, ku thuhej se sot, Argjentina është shndërruar në një shtet problematik dhe përballet me krizën ekonomike të radhës si pasojë e politikave populiste që ajo ka ndjekur më parë.Politikat populiste nuk sjellin mirëqenie, por shtyjnë në kohë problemet reale të ekonomisë, e cila parashikohet të rritet nën 2% këtë vit. Gjithashtu, ajo që godet më shumë në qasjen e kësaj qeverie është pasiguria që dominon çdo fushë të ekonomisë, mjafton të përmendim anulimin e 44 kontratave koncesionare të miratuara nga qeveria e mëparshme, 95 milionë euro detyrime për CEZ pa e përfunduar procesin e arbitrazhit, borxhin e lartë publik në 74% të PBB-së, apo deficitin e lartë korrent etj.Në tërë këto kushte nuk duhej gjymtuar aseti më i rëndësishëm në fuqizimin e shtetit ligjor, sigurinë juridike, mungesa e së cilës ka dekurajuar investitorët vendas dhe të huaj.Rritja ekonomike do të rikthehet vetëm kur të respektohen institucionet e pavarura, sepse kjo nuk është vetëm një çështje politike, përkundrazi, ato janë jetësore në mirëqenien ekonomike dhe në konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë.Ekonomisti Rodrik shprehet se shpeshherë ekonomistët i marrin si të mirëqena institucione të tilla si sundimi i ligjit, të drejtat e pronësisë apo mirëqeverisjes, por rëndësia e tyre bëhet më e thekshme në mungesë të tyre. Dhe fatkeqësisht, sot Shqipëria po humbet lirinë ekonomike sepse po humbet pavarësinë dhe respektimin e institucioneve të pavarura, duke i lënë më pak optimizëm sipërmarrjes së lirë. Analizat e tejzgjatura të secilës ministri këto tri javët e fundit për arritjet e tyre në 300 ditë vetëm sa konfirmojnë etatizmin e theksuar.Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tv në Facebook dhe në Twitter