Peleshi-Mogherinit: Presidenca Italiane e BE ndihmon Shqipërinë për integrimin

Në mungesë të kryeministrit Rama, Ministrja e Jashtme e Italisë u prit në ambientet e Kryeministrisë nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi.Gjatë takimit Peleshi i shprehu Mogherini falenderimet e Qeverisë Shqiptare për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, por veçanërisht në procesin e integrimit europian dhe për lobimin në favor të marrjes së statusit të vendit kandidat nga Shqipëria. Në këtë kontekst, ai u shpreh se Presidenca Italiane e BE është një mundësi më shumë për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me BE dhe fokusimin e politikave të BE ndaj Shqipërisë dhe rajonit.Një pikë e rëndësishme e bisedës preku përpjekjet e Shqipërisë dhe angazhimin personal të Kryeministrit Edi Rama për të thelluar bashkëpunimin me vendet fqinje përmes projekteve të përbashkëta të investimit dhe bashkëpunimit në funksion të integrimit ekonomik të rajonit.Zëvendëskryeministri e njohu zonjën Mogherini po ashtu edhe me punën e bërë në këto 300 ditë nga qeveria dhe me reformat e rëndësishme që po ndërmerren veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe përmirësimit të klimës për bizneset dhe investitorët e huajMinistrja Mogherini i vlerësoi lart reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare dhe u shpreh se marrja e statusit kandidat nga Shqipëria ishte në fakt një fitore edhe për Italinë. Ajo shprehu gatishmërinë e Qeverisë Italiane për të thelluar bashkëpunimin ne të gjitha fushat si dhe për të intensifikuar edhe më tej marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Një falenderim personal Ministrja Mogherini e rezervoi për Zëvendëskryeministrin Peleshi për rolin e tij në negocimin dhe firmosjen e Protokollit të Bashkëpunimit për Zhvillim për vitet 2014 – 2016 që kap shumën e 82 milionë eurove.Ajo vlerësoi rolin e Shqipërisë në rajon si një faktor stabiliteti dhe shprehu bindjen se iniciativat e bashkëpunimit rajonal do të kenë mbështetjen e vazhdueshme të Italisë.