Rrëzimi i avionit, separatistët nuk kërkuan të mbijetuarit por sendet me vlerë
Vëmendja e mediave ndërkombëtare mbetet tek tragjedia e avionit të linjës "Malaysia Airlines" për të publikuar gjithnjë e më shumë detaje e të reja nga vendi i ngjarjes.Kjo video, e publikuar nga rrjeti britanik BBC, e xhiruar përmes telefonit celular, tregon pikërisht minutat e para pas rrëzimit të avionit, përpara se aty të mbërrinin forcat zjarrëfikëse, policia dhe ekipet e shpëtimit.Në video duken qartë se të parët që kanë mbërritur në vendngjarje janë rebelët pro-rusë, të cilët nuk kanë tentuar për asnjë moment të kërkojnë për të mbijetuar nga kjo tragjedi, por kanë nisur të kontrollojnë çantat e valixhet e pasagjerëve, duke rrëmuar mes sendeve personale e duke kontrolluar pasaportat e dokumentet e tyre.Kjo është edhe arsyeja përse mediat kanë arritur të filmojnë pasaportat e viktimave sapo kanë mbërritur në vendngjarje, pasi gjithcka ishte kontrolluar më parë nga vetë rebelët, ata që akuzohen si përgjegjës të kësaj tragjedie.Separatistët pro-rusë janë të armatosur e sigurisht që flasin rusisht, madje edhe komentojnë me njëri-tjetrin edhe sendet që gjejnë nën rrënoja apo kombësitë e viktimave. Asnjë portofol, asnjë qese dhe asnjë milimetër e fushës ku ra avioni, nuk i ka shpëtuar kontrollit të dhjetëra rebelëve.Këta të fundit janë akuzuar drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë se pas incidentit tragjik, kanë zhvendosur trupat e pajetë apo edhe pjesë të avionit, për të shmangur përgjegjësitë nga vetja si dhe për të ngatërruar hetimet.