Rrëzimi i avionit, separatistët pengojnë hetimet, nxirren vetëm 200 trupa
Një ekip vëzhguesish ndërkombëtar tha se rebelët pro-rusë në vendin ku ka rënë avioni nuk po i lejojnë të kryejnë hetimet për ngjarjen në rrënojat e avionit.Madje një zëdhënës i OSBE-së është shprehur se separatistët e armatosur, ja kanë kufizuar zonën se ku duhet të kontrollohet, duke qëlluar edhe në ajër disa herë për t’i trembur.Sipas videos së publikuar një ditë më parë, janë shtruar edhe më shumë dyshimet se avioni i fluturimit MH17, në të vërtet është goditur në ajër në lartësinë 10 mijë metra nga një raketë.Deri më tani ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin vetëm 200 nga trupat e viktimave ndërsa pjesa tjetër është ende e vështirë për tu gjetur. Një ditë më parë, pas një mbledhje emergjente, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për një investigim ndërkombëtar të plotë dhe të pavarur për të zbuluar shkaqet e vërteta të kësaj tragjedie.Ndërsa ende të dyja palët e përfshira në konflikt, Rusia dhe Ukraina zyrtare vazhdojnë të fajësojnë njëra tjetrën. Kievi e ka cilësuar këtë ngjarje një akt terrorizmi dhe ka publikuar bisedat e përgjuara telefonike të bëra nga rebelët rusë, që provojnë se avioni është qëlluar pikërisht prej tyre.Edhe presidenti Obama tha se provat e deri mëtanishme tregojnë qartë se avioni që fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lampur, është qëlluar nga një raketë nga rebelët në lindje të Ukrainës. Kreu i Shtëpisë së Bardhë i bëri thirrje Rusisë të dorëzojë armatimet dhe të largojë luftëtarët e saj nga Ukraina.Ndërsa në reagimin e tij, presidenti rus Vladimir Putin tha se kjo është një tragjedi ndërsa bëri thirrje për një armëpushim dhe për bisedime. Një ditë më parë mediat publikuan një video, e cila tregon se avioni beoing 777 I fluturimit MH17 mori flakë në një lartësi të madhe para se të përfundonte në tokë. Dëshmitarët që e kanë fokusuar në video këtë moment tragjik rrëfyen se pamjet ishin të tmerrshme dhe se panë trupat e pasagjerëve teksa binin nga qielli.