Rama: Ne do t'i paguajmë një për një, të burgosurit e Enver Hoxhës
Tiranë – "Nuk do ketë brenda mandatit tonë asnjë të burgosur nga Enver Hoxha, që të mos marrë lekët nga ne personalisht."Ky ishte premtimi që ka përsëritur Kryeministri Edi Rama sot në analizën 300-ditore të punës së Ministrisë së Mirëqënies Sociale."Ajo që ne na takon tani është që brenda mandatit tonë të parë të mos ketë më asnjë të burgosur nga Enver Hoxha që të mos ketë marrë të plotë dëmshpërblimin që i takon atij personalisht. Me të tjerët, flasim më tutje."Rama tha gjithashtu se qeveria ka vendosur 18 milionë USD për këtë dëmshpërblim, që sipas tij është fondi më i madh dhënë ndonjëhërë për ta.“Kemi dedikuar për të burgosurit e Enver Hoxhës shumën më të madhe që është dedikuar nga të gjitha qeveritë, vit pas viti, 18 milionë dollarë. Këtë e kemi bërë dhe këtë mision do ta përmbushim brenda 4 viteve, jo sepse duam vota, por sepse për ne ky është momenti i mbylljes së një historie dinjiteti të shoqërisë sonë. Një historie dinjiteti që nuk mundet dot të vazhdojë të jetë një histori e shkeljes së dinjitetit të të gjithë shoqërisë, duke folur në emër të përndjekurve dhe, në fakt, duke bërë padrejtësi pas padrejtësish.”, tha Rama.Kryeministri theksoi se falë punës këto 300 ditë, është bërë e mundur që 1200 të përndjekurit politikë të marrin këstin e tyre të parë:“Ne bëmë të mundur që 1200 të përndjekurit që s’kishin parë asnjë qindarke me sy, të merrnin këstin e parë. Qëllimi ynë është që çdo i burgosur politik të shpërblehet, dhe brenda mandatit tonë të parë, mos ketë asnjë të burgosur që të mos ketë marrë dëmshpërblimin që i takon atij personalisht”, u shpreh kryeministri.ar.sh/Oranews.tv