Shtyrja e procedimeve për gjyqtarët, KLD: Shkak mungesa e qëllimtë e Naços
Tiranë- Këshilli i Lartë i drejtësisë ka bërë përgjegjës Ministrin e Drejtësisë për shtyrjen e procedimeve disiplinore për tre gjyqtarë, e parashikuar për mbledhjen e pasdites së sotme.Përmes një deklarate për mediat, zedhënësi i KLD-së, Elis Kuçi, tha se mungesa e qëllimtë e Naços solli dështimin e shqyrtimeve disiplinore për gjykatësin e Pukës, Shtjefën Lleshi, dhe gjyqtarët e Elbasanit, Bujar Musta dhe Ilir Pashjan.“Këshilli i Lartë i Drejtësisë bën me dije se sot, për shkak të mungesës së përsëritur të Ministrit të Drejtësisë në mbledhjen plenare të tij, dështoi shqyrtimi i procedimeve disiplinorë për tre gjyqtarë.Këshilli i Lartë i Drejtësisë e konsideron të qëllimtë mungesën e Ministrit të Drejtësisë dhe joserioze arësyet e kësaj mungese.Paradoksalisht me qëndrimet e tij publike për të zhvilluar në një kohë sa më të shkurtër procedimet disiplinore, Ministri i Drejtësisë, me mungesën e tij në seancën plenare të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pamundësoi zhvillimin e procedurës disiplinore për gjyqtarët, pasi referuar neni 34 të ligjit "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë" e drejta për nisjen e procedimit disiplinor i takon ekskluzivisht Ministrit të Drejtësisë”.Sipas Kuçit, Naço me mungesën e sotme, tregoi edhe një herë se deklaratat e tij të papërgjegjshme të datës 27 maj 2014, në Komisionin e Ligjeve, se: "KLD nuk shqyrton procedimet disiplinore, prej 700 ditësh" apo se: "KLD nuk po emëron kryetarët e Gjykatave", në fakt qëllim kryesor kishin përbaltjen e këtij institucioni.“Nëse Ministri do kishte shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, ekzkluziviteti që ai ka në fillimin procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve nuk duhet ta shfrytëzonte me standarte të dyfishta dhe për të goditur vetë KLD.Përkundrazi kjo kompetencë duhet ushtruar nga Ministri me transparencë, objektivitet dhe larg çdo lloj dyshimi të arsyeshëm për afera të çdo natyre” përfundoi ai.