Moisiu: Tirana të mbrojë shqiptarët e rajonit - Mustafaj: Të zyrtarizohemi në Konferencën Islamike
Tiranë- Ish-presidenti, Alfred Moisiu, ka kërkuar sot që Qeveria shqiptare të luajë një rol më të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave shqiptare në rajon, ndërsa ish-Ministri i Jashtëm i PD-së, Besnik Mustafaj ka hapur çështjen e Konferencës Islamike, e cila, sipas tij, nuk pengon në perspektivën europiane të vendit.Moisiu dhe Mustafaj merrnin pjesë në Konferencën e Ambasadorëve, organizuar nga Ministria e Jashtme, e cila kishte në fokus rolin e Shqipërisë në rajon.Moisiu, duke u bazuar në parimet e reciprocitetit, u ndal veçanërisht tek dhunimi i shqiptarëve në Maqedoni, duke i kujtuar autoriteteve atje detyrimin për respektimin e Marrëveshjes së Ohrit:“Me gjithë mend," - tha ai, - "kemi qenë të hapur dhe shumë dashamirës me shtetin maqedonas dhe më kujtohet kur atyre iu mbyll porti i Selanikut ne u hapëm portin e Durrësit duke e quajtur si një detyrë humane por dhe fqinjësore. Edhe në 2001 kur ndodhi lufta civile, vendi ynë ishte që ajo situatë të mbyllej sa më parë. Por ama si rezultat i saj u arrit një marrëveshje që quhet marrëveshja e Ohrit.Tani që qytetarët shqiptarë që banojnë në Maqedoni, nuk konsiderohen si të barasvlefshëm me qytetarët e tjerë, nuk e di se çfarë mund të ndodhë më tej, nuk e di sa do durojnë dhe ata,”- theksoi ish-Presidenti.Moisiu, Dade dhe Mustafaj: Të ndahet diplomacia nga politikaNdërkohë gjatë konferencës, ish-presidenti Moisiu,kryetarja e komisionit të Jashtëm Arta Dade dhe ish-Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj njëzëri kërkuan ndarjen e diplomacisë nga politika. Ky i fundit u ndal edhe në debatin e fundit për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën Islamike.“ Ne mund të jemi më dinamikë, mund të jemi më aktivë atje duke folur me zërin e një vendi me statusin e kandidat për në BE. Nuk na pengon në perspektivën europiane, përkundrazi me një marrëveshje më të mirë të vendeve strategjike ne mund të përçojmë mesazhe shumë të rëndësishme në Konferencën Islamike”.Në tetor të ’92 Shqipëria bëri kërkesë për pjesmarrje me të drejta të plota për bashkëpunim islamik, por parlamenti nuk e ratifikoi asnjëherë me votë pjesmarrjen e Shqipërisë në këtë organizatë duke e lënë situatën nga pikëpamja juridike të paqartë.e.k/oranews/online