“Territori”, Fino: Opozita pa hartë; Halimi: Reforma,qëllim elektoral
Tiranë-Mazhoranca dhe opozita mbeten ende larg në gjetjen e konsensusit për reformën territoriale. Përveç ftesave dhe thirrjeve publike për bashkëpunim, ulja e palëve në tryezë duket mision i pamundur.Kreu i komisionit për reformën, Bashkim Fino, në një prononcim për mediat para nisjes së punimeve të Kuvendit u shpreh i zhgënjyer nga rezoluta e PD, që sipas tij veç kërkesës për shtyrje të zgjedhjeve lokale, nuk paraqiti asnjë variant për ndarjen e territorit.“ Nëqoftë se mazhoranca është një hap më përpara dhe ka hedhur në treg 5 variante dhe ndërkohë është duke marrë mendim dhe në 22 korrik përfundon afati sipas Kushtetutës i marrjes së mendimeve nga kryetarët e Bashkive dhe komunave, nga këshillat e komunave dhe bashkive që do bëhen publike në datën 22 korrik në mbledhjen që unë do drejtoj të komisionit të posacëm atëherë unë nuk di çfarë kërkon tjetër PD. Jam shumë i zhgënjyer, mendoja se pas takimit që kisha me ta do kisha një lloj zgjedhje. Sot nuk jam në gjendje të them, sepse nuk kam asgjë në treg nga PD, nuk kam asnjë hartë” .Deputeti socialist tha se reforma do të mbyllet brenda korrikut, ndërsa shtoi se në shtator do të paraqesin një amendament për ligjin e decentralizimit. Ndërkaq Fino përjashtoi edhe njëherë çdo lloj qëllimi elektoral të mazhorancës mbi këtë reformë.“Paçka se duhet decentralizimi që po e theksoj është i domosdoshëm për dy arsye: Në funksion të ndarjes së re territoriale dhe e dyta absolutisht dhe ne si mazhoranca duhet ta shtrijmë më tej decentralizimin e pushtetit vendor dhe kjo gjë do bëhet prezent. Brenda muajit shtator-tetor qeveria do sjellë ligjin ri të decentralizimit. Kemi hedhur në treg 5 variante, kemi miratuar njërin prej tyre që kërkojmë mendimin e kryetarëve të Bashkive dhe komunave dhe nuk kemi prekur qarqet. Në momentin që i kemi lënë 12 siç janë, qarku kërkon mirëkuptim dhe votat e PD nëse duhet të ndërhyjmë në Kushtetutë do të thotë që nuk preket kodi zgjedhor pasi shumatorja e votave të një qarku të caktuar është po ajo”.Në përgjigje të Finos, Eduard Halimi, përgenjështroi pretendimet e mazhorancës se opozita kërkon shtyrjen e zgjedhjeve. Sipas deputetit demokrat, PS dhe Edi Rama nuk kanë në qendër të reformës qytetarët, por vetëm llogaritë elektorale.“Ndërkohë që opozita i ka bërë thirrje Kryeministrit të ulet sëbashku dhe të miratojmë me konsensus reformën territoriale, Kryeministri ka urdhëruar deputetët e tij që të mashtrojnë opinionin sikur opozita ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve elektorale. Ky mashtrim që ka bërë Edi Rama është një manovër për të mos iu përgjigjur kërkesës së bërë dje nga opozita për tu ulur sëbashku në një reformë territoriale që duhet të jetë para të gjithash një reformë territoriale për qytetarët, duhet të ketë në bazën e saj parimin e një shërbimi sa më të mirë ndaj qytetarëve, përfaqësimin sa më të mirë të qytetarve në organet e pushtetit vendor dhe parimin e transparencës, më pas do jetë harta elektorale. Kjo tregon se PS dhe Edi Rama nuk kanë në qendër të reformës qytetarët, por kanë vetëm llogaritë elektorale.Jam këtu për të përgenjështruar mashtrimin lidhur me kërkesën imagjinare sikur ne do kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve. Ne kemi qenë të qartë në pjesën sa i përket reformës, jemi për një reformë territoriale në shërbim të qytetarëve dhe të përputhet me parimet demokratike, europiane, të ketë decentralizim. Harta, llogaritë elektorale nuk u shërbejnë qytetarëve” tha ai.Ndërsa shumica mbetet e vedosur për ta përmbyllur reformën brenda kësaj legjislature, Halimi tha se ka ende kohë nëse ka vullnet mes palëve.“Dje i bëmë thirrje mazhorancës të diskutojmë mbi këto parime. Cili model u shërben më mirë qytetarëve. Pastaj do dalim tek harta. Kjo mund të bëhet në çdo kohë, duhet vullnet. Ne i bëmë thirrje për tu ulur, ai doli dhe mashtroi opinionin. Kohë për qytetarët ka në çdo moment. Ne i kemi bërë thirrje. Të ulemi që sot natën dhe të dikutojmë për një reformë që u shërben qytetarëve. Nuk është vonë kurrë, por të ulemi. Thirrjes për tu ulur iu përgjigjën me mashtrim. PD dhe opozita e ka bërë të qartë se harta është komponent i katërt. Reforma territoriale për opozitën nuk ka lidhje me zgjedhjet. Përqëndrimi dhe shpjegimi që jep sot PS duke thënë se ne hallin e kemi tek harta demaskon qëllimin dhe qëndrimin që ata kanë pasur”. B. Kuçana/Oranews.tv