Rama legalizon pallatet e "Hawai" në Tiranë, në 2002 kërkoi t'i shembte
Tirane- Më shumë se 12 vjet më parë në krye të bashkisë së Tiranës, Edi Rama do të kërkonte shembjen e pallateve të ndërtuara nga shoqëria "Hawai-Alb",me president El-Sajed ndërsa sot në krye të ekzekutivit ka miratuar legalizimin e tyre.Padyshim ky është një lajm i mirë për të gjithë ata qytetarë që kanë blerë apartamente apo ambjente të tjera në objektet e ndërtuara nga shoqëria "Hawai-Alb" në rrugën "Don Bosko", tek "Komuna e Parisit" dhe në Laprakë, e që pas shumë vitesh ankthi për fatin e pronës së tyre, më në fund do të kenë në dorë dokumentet mbi pronësinë.Çfarë thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave?Në vëndimin e Këshillit të Ministrave që mban datën 1 Korrik kërkohet nisja e proçedurave të legalizimit të ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, të ndërtuara nga shoqëria "Hawai-Alb", ndërsa theksohet se kjo është në favor të poseduesve të apartamenteve dhe ambienteve me funksion social - ekonomik.Përmes këtij vendimi qeveria i kërkon Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale që brenda dy muajsh nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të evidentojë, hartojë dhe publikojë listën e ndërtimeve pa leje, shtesave anësore apo në lartësi, të ngritura nga shoqëria "Haëai-Alb", sh.p.k., si dhe listën emërore të poseduesve të apartamenteve të banimit dhe ambienteve me funksion social - ekonomik.Pas publikimit të listave u takon poseduesve të tyre të aplikojnë për legalizimin. Procesi do të kryhet në dy faza. Fillimisht Legalizimi dhe regjistrimi i objekteve të ndërtuara nga vetë shoqëria "Hawai-Alb", dhe më pas legalizimi i shtesave të kryera nga vetë subjektet poseduese.Duke ditur kompleksitetin e kësaj çështjeje në vendim parashikohet gjithashtu që nëse ka konflikte për pronat, mosmarrëveshja të zgjidhet nga gjykata, si dhe pezullim të legalizimit nëse çështja është në proçes gjyqësor.Ndërkaq vendimi parashikon edhe një vlerësim të qëndrueshmërisë konstruktive për shtesat në këto objekte qe do të bëhet nga Instituti i Ndërtimit.Regjistrimi në ZRPP i objekteve bazë të subjektit "Haëwai-Alb", do të kryhet në emër dhe për llogari të ALUIZNI-it dhe përjashtohet nga taksat dhe tarifat e shërbimit.Regjistrimi i njësive individuale, apartamenteve dhe ambienteve me funksion social - ekonomik, si dhe i pjesës takuese të bashkëpronësisë do të kryhet nga poseduesit e tyre me anë të lejes së legalizimit.Ndërsa "Hawai-Alb", ka detyrimin e pagesës së penaliteteve, të cilat do t'i njoftohen personit të ngarkuar me zbatimin e procedurave të likuidimit të shoqërisë tregtare, përfaqësuesit të saj, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes së Falimentit.