Reforma në arsimin parauniversitar, Nikolla: Kurrikula e bazuar në kompetenca

Tiranë- Sistemi arsimor parauniveristar nuk do të jetë ai 6 + 3+3 siç e parashikonte ligji i ri i arsimit parauniversitar, i cili hyn në fuqi në shtator por do te ndiqet modeli i Kosovës dhe ai i disa vendeve europiane 5+4+3.Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, tha se modeli ekzistues nuk funksion më, prandaj ka nevojë për një reformim. Në këtë ndryshim parashikohet që ngarkesat e lëndëve të shmangen dhe nxënësit të orientohen më tepër drejt praktikës se sa të mësuarit përmendësh.“Kjo qasje e re merr parasysh vizionin bashkohor rreth nxënies, dijes, njohurisë, inteligjencës, vlerave dhe qëndrimeve dhe krijon mundësi më të mëdha për të shtjelluar dhe kuptuar kurrikulën e bazuar në kompetenca. Modeli kurrikular i përzgjedhur konform standardeve të BE frymëzohet nga një histori efektive e njohjes dhe një logjikë e re kurrikulare. Në themelin e këtij modeli qëndron ideja që përvetësimi në procesin e nxënies synon gjetjen e përgjigjeve që shtrojnë situatat reale duke vendosur lidhjet mes dijeve lëndore dhe koncepteve jetësore. Të dyja të lidhura me situatat dhe përvojat për të bërë gjërat se mendjet nuk janë të afta vetëm të mbushen, por dhe të zgjerohen se burimet e informacionit jashtë kontekstit shkollor janë më të rëndësishme se përmbajtjet e programeve mësimore. Krahas të veçantave për këtë program mësimor, ekzistojnë mjaft elementët kryesor që u përkasin të gjitha programeve, kuptimi dhe përdorimi i të cilave ndikon në procesin reformues.Tashmë ne nuk e shohim kurrikulën si rimodelim të thjeshtëzuar vetëm të programeve pasi ka plot argumenta që tregojnë se sa më globale dhe sistemike të jetë reforma kurrikulare aq më i pamundur është kufizimi vetëm në një prej përmasave të saj”.Në raport thuhet se në sistemin aktual të arsimit bazë dhe të mesëm kompetencat profesionale të mësuesve nuk janë në nivelin e duhur.Kjo ka vështirësuar mësimdhënien në lëndët kyçe si gjuhë shqipe, gjuhë e huaj dhe matematika.Ministrja tha se në këtë ndryshim mësuesit janë ata që do të luajnë rol kyc në këtë strategji të re. Sipas Ministres do te jënë përvojat më të mira europiane ato që do të sjellin dhe ndryshimin në reformën e arsimit parauniversitar.“Rruga e ndërmarrë është angazhimi jonë. Lajmi i mirë i marrjes së statusit kandidat është shprehi e një vullneti për ta mbështetur në rrugën e reformave. Është një rrugë e gjatë po kemi filluar të hedhim shumë hapa të rëndësishëm, siç ishte edhe momenti historik nënshkrimi i marrëveshjes me Kosovën për unifikimin e sistemit arsimor. Sot prezantojmë raportin e grupit të punës për reformimin e arsimit parauniversitar si një dokument i domosdoshëm për të rihapur diskutimet dhe këshillimin me aktorët e përfshirë. Qasja e re ndaj kurrikulës, duke u bazuar në kompetenca paraqet një zhvendosje domethënëse nga kurrikula tradicinale duke e përafruar me kurrikulat e vendeve europiane dhe kërkon ndryshime të thella që prek të gjithë sistemin arsimor, dokumentacionin kurrikular, organizimin dhe vlerësimin e nxënieve, reformimin e sistemeve të formimit fillestar, kualifikimin rreth zhvillimit profesional të burimeve njerëzore deri tek infrastruktura fizike e institucioneve arsimore. Jemi me fat që në përballjen me sfidat e procesit reformues kemi arritjet, përvojën dhe bashkëpunimin e kolegëve dhe specialistëve të Kosovës. Harmonizimi i kurrikulave tona nga njëra anë siguron zbatimin e ligjit tonë të ri për arsimin parauniversitar, nga ana tjetër kurrikulat e dy vendeve konkretizojnë kornizën europiane të kompetencave kyç për nxënien gjatë gjithë jetës. Harmonizimi kurrikular do integrojë më tej hapësirën arsimore shqiptare me zhvillimet bashkëkohore europiane e më gjerë”.B. Kuçana/Oranews.tv