Kryeministri serb uron Shqipërinë për statusin, Ramës: Takohemi në vjeshtë
Beograd - Takimi ndërmjet Kryeministrave të Shqipërisë e Serbisë do të zhvillohet, vjeshtën e këtij viti.Kohën, por jo datën e saktë, e bëri të ditur Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso në Beograd.Vuçiç gjithashtu tha se i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama një letër urimi me rastin e marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, për të cilën tha se kreu i ekzekutivit shqiptar e kishte mirëpritur. Por, vizita e Ramës, e cila është shtyrë për shkak të zhvillimeve të brendshme në Serbi, duket se nuk do të zhvillohet në atmosferën më të mirë të marrëdhënieve mes dy vende, kjo pasi vetëm pak ditë më parë, nga Beogradi në drejtim të Tiranës u shfaqën hapur një seri pakënaqësish.Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, deri pak muaj më parë Kryeministër i Serbisë, nuk e fshehu zhgënjimin kur tha se Shqipëria ishte një mes vendeve që përveçse nuk ofruan mbështetje për të përballuar fatkeqësinë natyrore të majit, nuk dërguan as edhe një telegram ngushëllimi.Për të treguar sa të rëndësishme e kishin serbët këtë mbështetje, Kryeministri Vuçiç e theksoi mirënjohjen për Komisionin Europian përballë Barrosos ndërsa integrimi ishte zemra e konferencës së përbashkët.Ndërsa Vuçiç tha se anëtarësimi në BE mbetet prioritet madhor i qeverisë së tij, Barroso nga ana tjetër premtoi të gjithë mbështetjen e Unionit. Dhe në rrugëtimin drejt BE-së, Barroso theksoi dhe mbështeti rëndësinë e dialogut me Kosovën.ar.sh/Oranews.tv