Basha festë te Liqeni: Statusi i shqiptarëve. Gëzuar dhe ata që s'i lanë të vinin

Tiranë- Pak metër larg pallatit të Brigadave zhvillohej një tjetër festë për statusin. Ajo e organizuar nga bashkia e Tiranës. Kreu i kësaj bashkie dhe lideri i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, tha se lajmii mirë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE i dedikohet të gjithë shqiptarëve."Kjo është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, për të gjithë ata që sakrifikuan edhe jetën për Shqipërinë evropiane, dhe të lirive të drejtat të njeriut."Por një meritë e veçantë, tha Basha, i takon ish-kryeministrit, Sali Berisha."Ky koncert domethënës është falënderim për të gjithë ata, që u flijuan për të kombin tonë. i dedikohet shumicës dërrmuese të shqiptarëve, atyre që sakrifikuan interesat e ngushta personale për një interes kombëtar, çdo kujt që nuk u ndal për të bërë pjesën e tij apo të saj. Kemi midis nesh shumë prej tyre, njëri prej tyre është dhe ish- Kryeministri Sali Berisha, pasi ka një meritë të veçantë" .Basha nuk harroi të urojë edhe ata që sipas tij u ndaluan të marrin pjesë në aktivitetin e Bashkisë."Rruga nuk ka mbaruar një pjesë e rëndësishme e saj është përpara nesh. Uroj ta shijoni këtë ngjarje festive, ata që kanë pasur mundësinë të vijnë, apo ata që janë ndaluar të vijnë".Festa vijoi me performancën e artistëve të shumtë që interpretuan pjesë të zgjedhura të kryeveprave të njohura evropiane, por edhe shqiptare.Fjala e plotë e kryetarit të Bashkisë Lulzim BashaJemi mbledhur sot këtu për të përshëndetur dhe për të kremtuar së bashku vendimin e djeshëm të Këshillit Europian për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, në bazë të aplikimit të bërë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë 5 vjet më parë.Është një rast për të kujtuar dhe për të nderuar të gjithë ata, që dhanë kontributin e tyre të çmuar për ardhjen deri këtu, përmbyllet me vendim e djeshëm një etapë e rëndësishme në procesin me disa etapa, të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Bëhemi gati të hedhim hapa të tjerë por kemi mbyllur një hap të madh, kemi arritur një stacion domethënës drejt finalizimit të aspiratës më mbarëpopullore që është: “Integrimi vendit në Bashkimin Europian”.Sot është një ditë e gëzuar për shqiptarët që kanë ëndërruar dhe kanë kontribuar ndër vite për hapjen, për demokracinë, për Shqipërinë europiane.Është një ditë për të përkujtuar në veçanti ata që sakrifikuan kaq shumë, edhe jetën për Shqipërinë europiane, për Shqipërinë e lirive, për Shqipërinë e të drejtave të njeriut, për Shqipërinë e të drejtës së fjalës, të drejtës besimit në Zot, e të drejtës së votës, e të drejtës së sipërmarrjes së lirë.Për të kujtuar ata që u ngritën me këto vlera në mendje dhe me këto aspirata në zemër, në dhjetorin e vitit 1990 dhe nisën së bashku me gjithë qytetarët e tjerë rrugëtimin e pandalshëm të Shqipërisë drejt Europës, drejt vlerave të saj.Ky koncert modest por domethënës është një falënderim për gjithë ata qindra, mijëra shqiptarë që iu dedikuan dhe u flijuan për idealet europiane, në kohët më të errëta të kombit tonë. I dedikohet po kështu shumicës dërrmuese europianiste të shqiptarëve, atyre që nuk reshtën për asnjë çast së shpresuari dhe së besuari, që sakrifikuan interesat e ngushta personale për një interes të madh kombëtar, çdokujt që nuk u ndal për të bërë pjesën e tij apo të saj, dhe kemi këtu midis nesh shumë prej tyre, të rinj, të reja, qytetarë, zyrtarë. Kemi njerëz që meritojnë falënderime të veçanta dhe që kanë një domethënie të pashlyeshme në kujtesën dhe historinë e një shoqërie të tërë, siç është ish-kryeministri Sali Berisha.Dua ti shpreh mirënjohjen padyshim edhe Këshillit Europian, Bashkimit Europian, vendeve anëtare dhe të shoh me kënaqësi me këtë vendim vulosjen e përpjekjeve tona përgjatë viteve që lamë pas për të përmbushur një për një këto kritere, për të mos u lëkundur, për të mos u ndalur, pavarësisht prej vështirësive, pavarësisht prej peripecive.Dua ta mbyll me domethënien e këtij mesazhi për të gjithë ne: “Rruga nuk ka mbaruar, një pjesë e rëndësishme e saj është përpara nesh, por ne e dimë se për vlerat që përfaqëson Europa sot, për vlerat për të cilat ajo qëndron, ka një pjesë të madhe të qytetarëve shqiptarë që kanë treguar me vepra dhe jo me fjalë të bëjnë gjithçka, se kanë bërë dhe do të bëjnë gjithçka për të ruajtur këto standarde, për të mos i cenuar këto standarde, për ti çuar këto standarde përpara, në emër të Shqipërisë, në emër të lirisë, në emër të rinisë, të vizionit të saj, të ardhmes së kombit tonë.”Uroj ta shijoni këtë ngjarje festive, ta shijojmë të gjithë së bashku, ju që jeni këtu, ata që na ndjekin përmes medias, ata që nuk kanë pasur mundësi të vijnë, apo ata që janë ndaluar të vijnë.Të gëzojmë të gjithë sëbashku!