Aleanca Popullore apel aleatëve në qeveri: Punë e mirë, por duhet zgjidhje e çështjes çame
Tiranë- Në 70-vjetorin e genocidit grek mbi çamët, kreu i Aleancës Popullore, Artur Dojaka,i kërkon qeverisë shqiptare të gjejë një zgjidhje politike për çështjen came.Aleat i të majtës në pushtet, Dojaka thotë se deri tani kryeministri Edi Rama dhe kryediplomati Ditmir Bushati kanë hedhur themelet e një pune të mirë, por fundi i saj është zgjidhja përfundimtare.“Këtë dhimbje që prej brezash ne e mbajmë dhe e trashëgojmë mbi vete nuk mund ta shuajë dot kush, asnjëherë. Kjo peshë e rëndë do të lehtësohej nga supet dhe nga zemrat tonë vetëm kur të gjithë në Tiranë dhe Athinë do të marrin guximin për tu përballur me të vërtetat e çështjes çame sado rënduese qofshin ato. Kjo dhimbje e madhe, kjo e drejtë e mohuar, ky dinjitet i nëpërkëmbur në shumë dekada nuk kurohet me shoën e politikës së ditës por kërkon strategji të thelluar dhe hapa seriozë dhe afatgjatë. Ne falenderojmë kryeministrin Rama dhe përgëzojmë Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati për ngritjen dhe trajtimin shpesh të çështjes çame, por theksojmë se mbetet ende shumë për të bërë. Qytetarët shqiptarë meritojnë sot një fqinjësi të mirë, por edhe receprocitet në marrëdhëniet ndërkombëtare”tha Dojaka.Në konferencën ndërkombëtare në përkujtim të genocidit grek ndaj çamëve në 1944, historiani Pëllumb Xhufi tha se tragjedia e 70 viteve më parë ka qenë e paralajmëruar. Ai renditi arsyet e genocidit.“E para sepse ishin shqiptar, e dyta sepse ishin myslimanë dhe e treta sepse popullësia myslimane çame ishte një popullësi relativisht e pasur. Për të mos thënë dhe arsyen e katërt që është strategjike, popullësia çame banonte në kufi me Shqipërinë që konsiderohej një zonë strategjike.Spastrimi i kufirit nga një popullësi që konsiderohej e bezdishme dhe e rrezikshme, ishte dhe bënte pjesë edhe ajo në planet e qeverisë greke” u shpreh Xhufi.Genocidi ndaj çamëve po përkujtohet në aktivitete të ndara nga partitë që përfaqësojnë këtë komunitet. Edhe PDIU në opozitë, ka organizuar një seri aktivitetesh në kuadër të javës çame.