Panariti Zall Bastar premton mbështetje të fermerëve

Fermerët e Zall Bastarit së shpejti do të kenë një qendër të grumbullimit dhe të shitjes së produkteve si dhe një baxho për prodhimin e dhjathit për të cilin kjo zonë është shumë e njohur.Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti i premtoi mbështetje fermerëve gjatë një vizite të bërë në këtë fshat ku u njoh nga afër me problemet e tyre."Ajo që është më kryesore, është që ne do bëjmë ç’është e mundur për që të ndihmojmë këto qëndrat e përpunimit, baxhot me pajisje në mënyrë që t’i japim vlerë të shtuar këtij produkti. Është një djath i jashtëzakonshëm, pata rastin ta provoj, është me vlera të jashtëzaknshme sepse përgatitetet më qumësht të bagëtive të kullotave. Një tjetër diskutim që pata me kryetarin, është sesi mund të ndihmojmë zonën për zgjerimin e sipërfaqes së kultivuara me domaten e vonë. Domatja e vonë është shumë cilësore, është një domate bio, pëlqehet. Ajo që shkon në treg ikën menjëherë, që do të thotë që konsumatori i Tiranës e pëlqen shumë këtë domate. Por jo vetëm kaq, por do të ndihmojmë për kulturat e tjera që mbillen dhe janë konkuruese. Duhet të punojmë shumë për të rritur kapacitetin ujitës, kemi disa ambicje për të bërë investime, në mënyrë që uji që ekziston të vij në parcela”, tha ai.Ndonëse 17 km larg kryeqytetit të Shqipërisë, nevojat e komunës Zall-Bastar janë të mëdha.Një tjetër ndihmë konkrete për banorët e zonës, sipas Ministrit Panariti do të jetë për zgjerimin e sipërfaqeve të kultivuara me domaten e vonë si dhe për rritjen e kapaciteteve të ujitjes për këtë zonë.