Rama në Gjermani, merr premtimin për mbështetje të statusit
Gjermania i premton Shqipërisë mbështetje për marrjen e statusit të vendit kandidat, një vendim që do të jepet ditën e martë. Ky konfirmim i është dhënë kryeministrit Rama gjatë takimit të zhvilluar me Ministrin e Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier.“Kjo vizitë nuk zhvillohet në një moment çfarëdo, por pikërisht përpara takimit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg javën e ardhshme dhe vetëm pak ditë përpara mbledhjes së Këshillit Europian, ku pritet të merret vendimi për çështjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Zoti Rama ju e dini, që unë nuk mund t'jua them këtë vendim përpara këtij takimi, ai do të merret të hënën mes Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, por më lejoni t'Ju siguroj që ne do të japim mbështetjen tonë për këtë vendim. Ai duhet të merret në mënyrë unanime, për t'u vendosur përfundimisht më pas në fund të muajit në Këshillin Europian. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm për Shqipërinë dhe Europën në tërësi, dhe me siguri, zoti Rama, edhe një nxitje e mëtejshme për të vijuar më tej punën tuaj, para së gjithash për ta vijuar me vendosmëri atë, në kuadër të reformave që do të vazhdojnë të jenë të nevojshme, sikurse është lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të lëndëve narkotike”tha Steinmeier.Ndërkohë kryeministri Rama kërkoi që vendimi të jetë pozitiv dhe të bazohet mbi arritjet e Shqipërisë dhe jo mbi politikën e brendshme të vendeve.“Ne shpresojmë shumë që vendimi do të jetë pozitiv dhe që të gjitha vendet do të shkojnë drejt këtij vendimi bazuar mbi raportin e Komisionit Europian dhe mbi rezultatet e qarta dhe shumë të prekshme të qeverisë sonë në adresimin e prioriteteve të përcaktuara nga BE dhe jo mbi bazën e konsideratave që lidhen me politikën e brendshme të vendeve anëtare.Në këtë aspekt, ne e çmojmë shumë lart qoftë qëndrimin, qoftë edhe përpjekjen e Gjermanisë për ta mbështetur Shqipërinë”deklaroi Rama.Kreu i qeverisë Rama ka shpjeguar edhe ndërhyrjen e policisë në Lazarat."Beteja jonë me trafikun e drogës, ashtu si edhe me trafiqet në tërësi, si edhe me mafien e drogës, nuk ka filluar ditën e hënë, por ka filluar qysh ditën e parë që ne jemi ulur në tryezën e qeverisë, me një mandat shumë të qartë, që t'i japim fund uzurpimit të ëndrrës sonë dhe të ëndrrës së popullit tonë, për t'u bërë pjesë e Familjes Europiane, nga trafikantë, nga kriminelë apo edhe nga politikanë dhe zyrtarë të korruptuar. Ky aksion është në fakt një moment kulminant i kësaj beteje, që siç e ka theksuar edhe Progres-Raporti, ka shënuar përparime të jashtëzakonshme në rezultate. Sepse ky aksion ka 20 vjet që mungon, vonon, nuk ndodh, ndërkohë që zona që ju flisni është bërë një burim kryesor i perceptimit negativ për Shqipërinë në Europë dhe në botë.Ne jemi hedhur në këtë aksion dhe do të ndalojmë vetëm kur kjo zonë të fshihet përfundimisht nga harta europiane dhe botërore e kultivimit dhe trafikimit të drogës”.Vizita e kreut të maxhorancës në Gjermani ishte në vazhdën e takimeve për të bindur vendet europiane që të marrin një vendim pozitiv për dhënien e statusit të vendit kandidat.