Spanjë, sot betimi i mbretit të ri Felipe VI, priten protesta në Madrid

Spanjë- Mbreti i ri i Spanjës, Felipe VI, do të betohet sot në një seancë solemne në parlament, si kreu i ri i shtetit monark. Mbreti Felipe do të marrë fillimisht brezin mbretëror nga i ati, Juan Carlos, në ceremoninë në Pallatin Zarzuela, pranë Madridit.Ai aderoi në Fron gjatë mesnatës, pasi Juan Carlos abdikoi formalisht gjatë së mërkurës. Ceremonitë gjithsesi pritet të mos zhvillohen me shumë bujë në një kohë që shumica e popullsisë spanjolle ende po vuajnë pasojat e krizës ekonomike, e madje një pjesë e mirë e tyre kërkojnë mbajtjen e një referendum popullor nëse duan apo jo të jenë ende Monarki apo të shndërrohen në një Republikë Parlamentare.Ceremonia do të jetë në formën e një shpalljeje, dhe jo të një kurorëzimi. Ky do të jetë i pari tranzicion mbretëror në Spanjë, që pas vendosjes së demokracisë. Mbreti i ri do të shpallet pasi të premtojë se do të mbështesë Kushtetutën dhe pasi të ketë dhënë një fjalim në Parlament.Ai dhe gruaja e tij, Letizia, do të përshkojnë më pas rrugët e Madridit, përpara se të shfaqen në ballkonin e Pallatit Mbretëror. Mbreti i ri pritet të përballet me një sërë sfidash të vështira, gjithnjë nëse do të kërkojë të përmirësojë reputacionin e Monarkisë.Edhe pse Juan Carlos mori lavdërime për rolin e tij në rikthimin e demokracisë, imazhi i tij pësoi tronditje kur shkoi në një safar tepër luksoz afrikan, për lëvizje turistike me elefantë, në mes të një recesioni të thellë për vendin.Më pas, reputacioni i tij pësoi të tjera goditje, për shkak të akuzave për evazion fiskal, të bëra kundër vajzës së tij Cristina, e cila raportohet të mos jetë e ftuar në festën e pasimit të fronit.E në një ditë të rëndësishme dhe historike për familjen mbretërore dhe për qeversië e Spanjës, qindra qytetarë spanjollë kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste në qendër të Madridit, pavarësisht masave të larta të sigurisë që janë ndërmarrë nga ana e autoriteteve vendase.