Ukraina kryesuese e OSBE-së në 2013

Në 2013 Ukraina merr drejtimin e kryesisë së OSBE-së dhe synon të forcojë të drejtat e njeriut. Por ky vend është vetë në fokusin e kritikave për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut.Walburga Habsburg Douglas ishte e indinjuar. "Kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut", u shpreh koordinatorja e posaçme e OSBE-së më 30 tetor 2012, përpara një spitali në Sharkiv në Lindje të Ukrainës. Autoritetet ia ndalonin asaj takimin me ish-kryeministren Julia Timoschenko, e cila ishte e shtruar në këtë spital. Udhëheqësja e opozitës u dënua në vitin 2011, në një proces gjyqësor të kritikuar në nivel ndërkombëtar.Për këtë arsye Timoschenko nuk mundi të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare më 28 tetor. Ky ishte edhe njëri nga shkaqet përse OSBE-ja këto zgjedhje i cilësoi si jo korrekte dhe si "kthim prapa".Në një sfond të tillë në 2013 Ukraina merr drejtimin e kryesisë së OSBE-së. Akuzat për drejtësi të motivuar politikisht dhe dyshimet ndaj zgjedhjeve parlamentare janë premisat më të këqija për një kryesi ukrainase në OSBE, shkruante në një nga numrat e dhjetorit gazeta e përjavshme e Kievit "Dserkalo tyschnja". Këtë mendim kanë edhe ekspertët gjermanë."Padyshim që kryesia ukrainase e OSBE-së është e rënduar në mënyrë implicite" thotë në intervsitë për DW Wolfgang Zellner, drejtor i Qendrës për Studimet e OSBE-së (CORE) në Universitetin e Hamburgut. Ngjashëm shprehet edhe Susan Stewart nga fondacioni berlinez "Shkenca dhe Politika". Imazhi i Ukrainës vitet e fundit ka vuajtur prej shkeljeve të të drejtave të njeriut, por edhe për shkak të hapave prapa sa i përket demokracisë, thotë ekspertja. "Ndaj unë besoj, se do të jetë e vështirë për Ukrainën të luajë një rol të fuqishëm drejtues", thekson Stewart.Ukraina është ndërkohë e dyta ish-republikë sovjetike që kryeson OSBE-në. Në 2010 kryesimin e organizatës ndërkombëtare e pati Kazakistani. Ky vend aziatiko-qendror përgatiti në një farë mënyre rrugën për drejtimin e kryesisë nga Ukraina.Edhe Kazakistani kritikohej për shkeljen e të drejtavë të njeriut. "Deri para pak vitesh në OSBE ka qenë traditë, që në kryesi të zgjidheshin vetëm vende, të cilat u përgjigjen kërkesave minimale lidhur me të drejtat e njeriut", thotë Wolfgang Zellner nga qendra CORE. Por tashmë kjo traditë është prishur. Kur Ukraina aplikoi për kryesinë e radhës në OSBE, nuk pati më diskutime, shton Zellner. Por ai pranon, se "pas kuintave ka një farë sikleti" për shkak të Ukrainës.Disa vëzhgues në Kiev besojnë, se kryesia ukrainase e OSBE-së mund të zhytet në rutinën diplomatike. Kryesimi i radhës pikë së pari presupozon ruajtjen e kontakteve, organizimin e takimeve apo emërimin e drejtuesve për misionet në terren si p.sh. në Kosovë, shpjegon Wolfgang Zellner. Kryesimi i OSBE-së nuk ka të bëjë me "mbikqyrjen e zgjedhjeve", thotë eksperti.Sidoqoftë ai është optimist sa i përket asaj çka pritet nga Ukraina si kryesuese e radhës së OSBE-së. Zellner i referohet shembullit të Kazakistanit. Ky vend ndonëse nuk është në nivelin e një demokracie si në Perëndim, ia doli që gjatë trazirave në Kirgistan të tregojë, se mund të kontribuojë për zgjidhjen e konflikteve. Konkluzioni i Zellner-it është, se "Ukraina e ka vetë në dorë".