Përmirësohet gjendja e Klinton, trajtim me hollues gjaku
Mjekët që po trajtojnë Sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Klinton thonë se diplomatja e lartë ka një mpiksje gjaku në hapësirën mes të trurit dhe kafkës, por kjo nuk rezultoi në goditje në tru apo në ndonjë dëmtim neurologjik. Sipas tyre, Klinton është duke u trajtuar me hollues gjaku dhe do të dalë nga spitali sapo të jetë përcaktuar doza e mjekimit.Klinton u dërgua të dielën në një spital të Nju Jorkut (New York-Presbiterian), pasi mjekët zbuluan një mpiksje të gjakut ndërsa po kryenin një kontroll të gjendjes nga tronditja që pësoi dy javë më parë, kur i ra të fikët për shkak të dehidratimit nga një virus në stomak.Në një deklaratë të hënën vonë, mjekët thanë se shëndeti i sekretares Klinton është duke bërë përparim të shkëlqyer dhe shprehën besimin se do të përmirësohet plotësisht.Sëmundja e detyroi sekretaren Klinton për të anuluar planet e udhëtimit dhe paraqitjet publike në javët e fundit, përfshi një seancë të kongresit në lidhje me ngjarjet vdekjeprurëse në konsullatën amerikane në Bengazi, Libi, më 11 shtator 2012.Kjo nuk është hera e parë që znj. Klinton ka pësuar një mpiksje gjaku. Gjatë një interviste në vitin 2007, znj. Klinton pati thënë se kishte patur mpiksje gjaku, kur ishte zonjë e parë në Shtëpinë e Bardhë.Që kur u bë sekretare e Shtetit, Hillary Klinton ka qenë tepër aktive. Gjatë 4 viteve në këtë detyrë ajo ka vizituar 112 vende - më shumë se çdo sekretar tjetër shteti në historinë amerikane.Ekspertët thonë se udhëtimet e shpeshta me aeroplan mund të përbëjnë faktor kontribues në mpiksjen e gjakut, por do të ishte gabim për të nxjerrë ndonjë lidhje midis trombozës dhe sëmundjes së fundit të znj. Klintonit, e cila rezultoi nga një tronditje kur i ra të fikët. Zyrtarët presin që Sekretarja e Shtetit të qëndrojë në spital edhe sot.Klinton planifikon të largohet nga posti i sekretares së shtetit në janar, pasi presidenti Barak Obama të jetë përuruar për një mandat të dytë.