Në prag të vendimit për statusin, Rama merr mbështetjen e Austrisë
Kryeministri Edi Rama ka marrë mbështetjen e Austrisë për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë. Këtë mbështetje Rama e mori sot gjatë pritjes së Ministrit të Jashtëm dhe atij të Drejtësisë të Austrisë, Sebastian Kurz dhe Wolfgang Brandstetter, të cilët që në nisje të takimit theksuan se qëllimi i kësaj vizite ishte shprehja e mbështetjes që Austria i jep Shqipërisë dhe statusit të saj të vendit kandidat në Bashkimin Europian.Ndërkohë kryeministri Rama i falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë, veçanërisht ministrin Kurz për nismën për t’ju drejtuar me një letër homologëve të tij në BE, për të mbështetur statusin kandidat për Shqipërinë.Në takim u ndanë mendime rreth qasjes europiane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Rama rikonfirmoi pikëpamjen se “është pikërisht aspirata europiane e të gjitha vendeve të rajonit që bëri që ky të jetë viti i parë në paqe. Rajoni si i tërë e kuptoi se Europa është më e rëndësishme se konfliktet.Por që kjo arritje të jetë e qëndrueshme, në bindjen e Kryeministrit Rama, kërkon “shtyrjen përpara të bashkëpunimit rajonal dhe gjetjen e hapësirave të reja për të mbështetur edhe financiarisht, bashkëpunimin me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, Austria si mbështetëse e rajonit mund të luajë një rol të rëndësishëm.”Në takim u fol edhe për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe për reformën në sistemin e drejtësisë. Kryeministri, nënvizoi se “Qeveria është e vendosur në këtë sfidë jetike për shoqërinë shqiptare.”Ministri i Drejtësisë Brandstetter ofroi mbështetjen e Austrisë, në të gjitha përpjekjet e Qeverisë për reformimin e sistemit të drejtësisë.