PD: Mbështesim policinë, qytetarët të distancohen nga kriminelët

Tiranë-Tre ditë pas fillimit të aksionit të policisë së shtetit në Lazarat, ka ardhur edhe reagimi i parë nga Partia Demokratike. Në një deklaratë për mediat dalë nga selia blu thuhet se ajo është në mbështetje të policisë dhe i bën thirrje qytetarëve të distancohet nga personat me precendte penal.Me tej në deklaratë sqarohet se opozita mbështet pa asnjë rezerve luftën kundër trafikut,ndërsa i bën thirrje policisë që të ruajnë jetet e qytetarve. Në deklaratë sulmohet ashpër kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri,duke e cilesuar aksionin e policisë në Lazarat një pseudo-fushatë, e cila po vë në rrezik jetët e banorëve.Në reagimin e PD shprehen nota pesimizmi për luftën ndaj drogës nisur nga qeveria, pasi ajo i punëson trafikantët.  Deklarata e plotë:Partia Demokratike është dhe mbetet, mbështet dhe do të mbështesë çdo vendim dhe aksion kundër narko-trafikut.Ne mbështesim forcat e policisë në aksionet e tyre, sikundër u bëjmë thirrje qytetarëve të distancohen nga elementët me precedentë kriminalë. Çdo sulm ndaj policisë është goditje ndaj shtetit.Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë luftën kundër trafikut por ne i bëjmë thirrje profesionistëve të mbetur në polici të ruajnë jetët e qytetarëve dhe punonjësve të rendit dhe të ndalin çdo veprim që ushtron terror psikologjik ndaj popullatës civile.Ne nuk presim që këtë kujdes ta bëjë Rama dhe Tahiri, pasi atyre nuk u intereson jeta e banorëve dhe e policëve.Pseudofushata e Ramës dhe Tahirit, është një pozicionim taktik – t’ia hedhim botës – me karakter propagandistik dhe selektiv.Narkotrafikantët e punësuar në zyrat e shtetit nuk mund ta luftojnë drogën. Ata mund të lajnë hesapet me njëri-tjetrin, por kjo nuk është luftë ndaj drogës, por luftë për kapjen e tregut.Droga nuk luftohet nga përdoruesit dhe trafikantët por nga aleanca e njerëzve të ndershëm.